Të shtunën gara në PD, anëtarësia voton në 71 degë lokale

21/07/2017 00:00

Demokratët nuk bëjnë pjesë tek ata që votojnë herët në mëngjes.

Kësaj sjellje elektorale i është përshtatur edhe vendimi për hapjen e qendrave të votimit. Degët e Partisë Demokratike në të gjithë Shqipërinë do të jenë të hapura që prej orës 8 të mëngjesit dhe deri në orën 19.00, demokratët do të kenë mundësi të zgjedhin kryetarin e tyre për 4 vitet e ardhshme.

Fleta e votimit është e thjeshtë, me dy kandidatë, Lulzim Basha dhe Eduart Selami, renditja e të cilëve, siç tregon kryetari i Komisionit zgjedhor, Jemin Gjana, nuk është bërë sipas rendit alfabetik të emrit apo mbiemrit.

“Po duke qënë se njëra nga këto, njëra nxirrte njërin, njëra tjetrin të parë, nuk e bëmë me rend alfabetik, hodhëm short në komision. Shorti ka përcaktuiar renditjen”, thotë  Gjana.

Në listat e anëtarësisë së Partisë Demokratike gjenden rreth 103 mijë persona, prej të cilëve janë hequr rreth 500, që kanë kaluar me parti të tjera dhe janë shtuar rreth 1500 me kartë të vjetër anëtarësie të parifreskuar në kohën e dixhitalizimit dy vjet më parë. Sipas Gjanës, vendimi i marrë me konsensus rrëzon akuzat e kritikëve brenda partisë.

“Po nëse Besnik Mustafaj, apo Patozi, apo Topalli, apo dikush tjetër dalin dhe thonë se po regjistrohen masivisht njerëz të Bashës apo dikujt tjetër bëjnë një gabim të pafalshëm. Me Bashën le të sillen si të duan, po me këtë komision që unë drejtoj bëjnë një gabim që luajnë. Bëjnë një loj mediatike  të turpshme, të padrejtë. Ju garantoj që askush nuk kahyrë në lista si anëtar i ri pas datës 28 qershor”, tha më tej Gjana.

Për shtesat në lista do të mbahet një regjistër i veçantë që të eleminohet mundësia e votimit dy herë, por Jemin Gjana u tregua i ashpër me kritikët e procesit, kur foli për qëllimin e akuzave të tyre.

“Cilido ka të drejtën të shohë, të kontrollojë  gjithë dokumentacionin, por akuza të kësaj natyre janë akuza përtej politikës, janë akuza për të prishur përfundimisht atë që në PD është ndërtuar për vite, jo sot, por që në ’91 e sot”, u shpreh z. Gjana.

Përveç sjelljes së kritikëve të Bashës të shtunën, që kanë deklaruar se do të bëjnë gjithçka për të ndaluar pengmarrjen e PD-së, interesante do të jetë edhe numri i pjesëmarrësve në votim. Katër vjet më parë në zgjedhje morën pjesë rreth 41 mijë demokratë.

Top Channel