Zadrima, “republika” françeskane

20/07/2017 00:00

At Gjergj Fishta e ka quajtur Zadrimën, “Zonjën hijerëndë, krenare dhe qëndrestare”. Kjo është toka e tij. Është fusha e Tej-Drinit në Ultërsirën Bregdetare, pjesë e fushës së Nën-Shkodrës në rrethin e Lezhës, e shtrirë mes Drinit të Lezhës në Perëndim dhe Malit të Hajmelit në Lindje.

Një ndër vendet e para që mund vizitosh është Shtëpia e Ambasadorëve të Paqes, ide e priftit katolik Dom Antonio Schiarra. Këmbana e paqes, e bekuar nga vetë Papa Gjon Pali II në Vatikan, e vendosur tek piramida në Tiranë është realizuar pikërisht këtu në vitet 1997-2000 me metalin e marrë nga mijëra gëzhoja plumbash në trazirat e vitit 1997.

Këtu shtrihet Blinishti, i njohur si vendbanimi i Dom Danjel Dajanit, por sidomos për Kishën e Martirëve, dedikuar klerikëve shqiptarë, martirë të fesë, që janë pushkatuar, internuar dhe burgosur gjatë periudhës komuniste. Në këtë kishë prehen eshtrat e Dom Ndoc Suma dhe Dom Luigj Prenushi, dy prej 38 të Lumturuarve të Kishës në nëntor 2016.

“Populli i Zadrimës është një popull që ka dëshmuar fenë e tij në shumë situata të vështira”, thotë Famulltari i zonës, Enzo Zago.

Tradita e përpunimit të baltës dhe qeramikës këtu ruhet dhe zhvillohet prej dy dekadash në Qeramikën Zadrimat, shumica këtu të rinj të punësuar përgatisin punime të veçanta. Pastaj kulinaria me “slow food” është një domosdoshmëri që duhet shijuar në Zadrimë, kombinuar me natyrën e mrekullueshme.

Në tetë shekuj, françeskanët nuk i janë ndarë Shqipërisë të vendosur këtu ndoshta për arsye materiale apo te luftës, sollën me vete gjuhën, muzikën, pikturën, kulturën dhe arsimin. Shkollat e fretërve janë si një fiadanishte që shërbejnë për kulturën, ashtu si i pari kolegj i Troshanit në vitin 1882, ndërsa biblioteka e Troshanit, tejet e pasur qëndroi deri në vitin 1967.

Këtu Kisha e Troshanit do të kthehet së shpejti në monument kulture dhe mendohet në oborrin e saj të ndërtohet edhe një muze për Fishtën, ndërsa në një lartësi 373 metra në Malin e Velës, një destinacion kurioz është edhe Kisha e Shën Eufemisë, ku ndodhet burimi që sipas gojëdhënave buroi mrekullisht, e kjo mrekulli vijon deri në ditët e sotme.

Kjo është Zadrima, me momumentet, kishat, agrikulturën, kulinarine  e natyrën që ja vlen të eksplorohet.

Top Channel