“Rikardi III” në Butrint

20/07/2017 00:00

Edicioni i 15-të i Festivalit të Teatrit “Butrint 2000” kulmoi mbrëmjen finale me tragjedinë “Rikardi III” të Shekspirit, vënë në skenë nga aktorët e Teatrit Kombëtar të Kinës.

E veçanta qëndronte tek kostumografia kineze dhe dizajnimi aziatik i skenës.

“Shekspiri nuk i takon vetëm Anglisë, por gjithë botës. Edhe për vetë publikun anglez ishte një surprizë sepse në shfaqjen tonë ndërthuren shumë elementë të kulturës kineze me atë britanike. Arti nuk ka kufij, ata janë të përbotshëm dhe prezntimi ynë këtu e tregoi më se miri këtë veçori”, u shpreh aktori Zhang Dongyu, që luajti rolin e Rikardit.

Të një niveli të mirë ishin edhe shfaqjet e tjera. Drejtori i Festivalit, Alfred Bualoti tha se veprat e Shekspirit u ngjitën 3 herë në skenën e Festivalit dhe të trija herët me një origjinalitet befasues.

“Teatri shqiptar e tha fjalën e vetë në këtë edicion dhe e tha bukur. Për mua e gjithë paketa e edicionit të 15 ishte me interes shumë të mirë”, tha Bualoti.

Nga ana tjetër, ministrja Milva Ekonomi tha se ngjarje të tilla thithin më shumë vizitorë, numri më i madh i të cilëve regjistrohet në Butrint.

“Gjatë kësaj periudhe numri i vizitorëve që vijnë në park rritet dhe llogariten deri në 2.200 vizitorë në ditë. Kjo i shërben edhe turizmit sepse mund të tregojmë se ne jemi një vend që kemi me cfarë të krenohemi”, tha Ekonomi.

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në edicionin e tij të 15, pa të prezantohen në skenë grupe si Albanian Dance Theatre, Teatri i Shkodrës, Teatri i Athinës, ai i Gjeorgjisë dhe  kulmoi me Teatrin e Pekinit.

Top Channel