
Edi Rama vijoi dëgjesat me qytetarët në Lezhë për ngritjen e platformës që do e ndihmojë qeverinë e re për atë që ai e ka cilësuar si bashkëqeverisje me qytetarët.
Në Lezhë Rama tha se asnjë zyrtar nuk do të kursehet në rast se ka bërë shkelje që vërtetohet, ashtu siç i premtoi edhe një qytetari që rrezikon penalizimin nga zyra e tatimtaksave për shkak se pagesat e tij të mëparshme nuk figurojnë në sistem.
“Për muajin qershor 2017 e kam paguar në 6 korrik 2017 dhe në bankë del e paguar, ndërsa në sistem tek zyra e tatim taksave del e pakaluar në sistem”, ishte ankesa e qytetarit.
“Do ta ndjekim këtë çeështje dhe do ta verifikojmë. Nëse ju do të keni të drejtë, do ju kërkojmë ndjesë dhe drejtori i tatimeve do iki nga puna. Nëse ju s’keni të drejtë, atëhere do ju themi s’keni të drejtë”, u përgjigj Kryeministri.
Platforma ku qytetarët do të regjistrohen për të dërguar ankesat e tyre për administratën, sipas Ramës, do të jetë vendosja e shtetit në pozicionin shërbyes ndaj tyre.
“E quajnë këtë gjë… ca thonë të Enver Hoxhës, ca thonë të Mao Ce Dunit, por në fakt ajo që s’kuptojnë ata është që kjo është as më shumë e as më pak, por vendosja e shtetit, vendosja e qeverisë në pozitën që të mos i përcjelli njerëzit nga njëra derë te dera tjetër”, tha ai.
Kreu i qeverisë la të hapur mundësinë e bashkëpunimit edhe me opozitën për vendimarrje që do të jenë në të mirë të njerëzve.
“Ata kanë marrë një detyrë, ne kemi marrë një detyrë. Ata kanë marrë detyrën dhe të rrinë atje e të na bëjnë opozitë, ne kemi marrë detyrën të bëjmë punët për të cilat njerëzit na kanë votuar dhe s’kemi asnjë minutë për të humbur, as me sherre, as me ulërima, as me përplasje. Përkundrazi, do ta kemi dorën të shtrirë si kurrë më parë për opozitën politike për çdogje që i shërben njerëzve, duan të na bashkohen është nderi i tyre, s’duan të na bashkohen e drejta e tyre. Besoj që edhe Parlamenti do të kthehet në binarë pas 4 vitesh rrumpallhane”, deklaroi Rama.
Top Channel