
Kryeministri Edi Rama është takuar pasditen e së mërkurës me të rinjtë e Internacionales Socialiste, të mbledhur në Jalë.
Në fjalën e tij, Rama ka deklaruar se politika nuk duhet të shihet vetëm si burim shqetësimesh nga qytetarët, por edhe si një instrument për të ndryshuar realitetin e jetës së përditshme të tyre.
“Politika është vënë në shënjestër si burim shqetësimesh dhe një forcë për keq, ndërkohë që e vërteta është se shumëkush e ka më të lehtë ta shohë politikën si diçka që duhet t’i qëndrojë larg dhe t’i shohë politikanët si prurësit e të gjitha halleve që njerëzit ndeshin dita ditës e për të cilat nuk gjejnë zgjidhje. Por politika është edhe një forcë që mund të bëjë mirë aty ku asnjë formë tjetër e shprehjes së njeriut dhe një shoqërie nuk mund të bëjë më shumë”, ka thënë Rama.
Sipas tij, në këtë atmosferë është krijuar një prirje që të harrohet sa shumë gjëra të mira ka bërë politika. “BE është një shembull që na tregon forcën transformuese të politikës”, ka vijuar Rama, i cili ka ftuar të rinjtë t’i bashkohen politikës në mënyrë që të realizojnë ndryshimin që duan.
“Angazhimi politik nuk është një angazhim që ka të bëjë gjithmonë me një lëvizje politike, por me vullnetin për të mos e pranuar si të mirëqënë e të pandryshueshëm realitetin e përditshëm të një komunitetit të vogël, një qyteti, apo një vendi”, ka shtuar Rama.
Top Channel