
Eduard Selami mbërriti i pari në debatin e tretë dhe të fundit me Lulzim Bashën në një fushatë 3-javore të mbajtur larg kuriozitetit publik.
Kjo është një nga çështjet kur nga të dy kandidatët artikulohen qëndrime të ndryshme.
“Më premtoi se do të ishte publike. Më vjen keq që nuk e mbajti premtimin që më kishte dhënë personalisht. Ne nuk kemi se çfarë të fshehim. Duhet të diskutojmë dhe bëjmë debat të hapur përpara gjithë demokratëve dhe shqiptarëve”, tha Selami.
“Nuk është e vërtetë! Kemi patur një ndryshim opinioni dhe i kam thënë se debatin e parë publik, duhet në radhë të parë të bëhet me kundërshtarin tonë politik. Debati brenda partisë është i hapur edhe për publikun në momentin e duhur, por mendoj që të parët kanë nevojë ta dëgjojnë dhe vlerësojnë demokratët ”, u përgjigj Basha.
Basha dhe Selami ndryshojnë shumë kur vlerësojnë arsyet e humbjes së Partisë Demokratike, por asnjëri prej të dyve nuk e pranon si reale akuzën se fushata për kryetar të kësaj partie është një farsë.
“Kemi akoma edhe këtë javë fushatë dhe çfarë është më e rëndësishme është standardi që po vendosim. Për herë të dytë është standardi i garës, transparencës, ai i llogaridhënies para anëtarëve të partisë dhe standardi i vlerësimit me një anëtar, një votë ”, thotë Basha.
“Unë mendoj që është një nga fushatat më qytetare, më të frytshme, më civile brenda një force politike në Shqipëri. Vetëm farsë nuk është! Kjo është një garë reale, garë e qytetëruar dhe unë mendoj se do të fitoj”, deklaron Selami.
Këtë siguri, Selami e tregoi edhe në debatin me Bashën.
“Unë ju garantoj që së bashku ne vijmë në pushtet shumë shpejt. Aq i sigurt jam për këtë sa kam propozuar edhe një nen në statut, që nëse kryetari i partisë nuk fiton në zgjedhjet e radhës të përgjithshme, atëherë jep dorëheqjen”, tha Selami.
Edhe Basha propozon ndryshime në statut për fuqizimin e anëtarësisë dhe njohjen e kontributit të çdo demokrati.
“Sepse që këtej e tutje, ky nuk do të jetë thjesht një rekomandim, por do të jetë një vendimmarrje me një anëtar një votë e anëtarësisë së Partisë Demokratike për deputetët dhe për të gjitha funksionet e tjera të zgjedhura”, u shpreh Basha.
Top Channel