
Një ditë pas zgjidhjes së problemit të të moshuarës nga Berati, vlonjatët nxituan të shprehin shqetësimet e tyre në dëgjesën me Kryeministrin, duke shpresuar në një zgjidhje prej tij.
Edhe nga Vlora, qyteti që i siguroi mandatin e tij të dytë të deputetit, Edi Rama foli hapur për luftë ndaj armikut të administratës.
“Ne nuk kemi një mandate për t’u marrë me ata që janë në detyrë të bëjnë opozitën por për tu marrë me opozitën reale të rrugës tonë për Shqipëeinë që duam, që janë parazitët dhe grabitqarët e zyrave të shtetit. Skemi luftë me opozitën në politikë. Ne duhet të luftojmë armikun publik numër një të popullit shqiptar. Armiku kryesor është paraziti dhe grabitqari. Luftën s’do e bëjmë këtu me mua, s’do e bëjmë me njëri-tjetrin”, tha Kryeministri.
Rama theksoi edhe një herë se 74 mandate, PS i fitoi më 25 qershor për t’u dhënë qytetarëve një zyrë shteti të denjë.
“Është një luftë që bëhet nëse çdo njeriu të zakonshëm i jepet aksesi përmes platformës, ta çojë zërin deri tek ministri menjëherë, jo t’i nxihet jeta me muaj e vite derisa të shohë një ministër rrugës. Tek ministri menjehërë, te autoriteti më i lartë kur problemi nuk zgjidhet. Nuk duhet lënë qeveria e re të shkëputet nga populli që i dha votën, do e mbajë lidhur me popullin përmes një koalicioni të madh me njerëzit e zakonshëm të të gjitha shtresave dhe niveleve, të cilët kanë të drejtë të shprehin shqetësimet e tyre”, deklaroi ai.
Dhe për t’i arritur këto, tha Rama, qytetarët duhet të kenë durim pasi qeveria nuk ka një shkop magjik.
“Unë e di që Vlora s’ka asnjë me emrin Durim. Durimi i është sosur edhe më të duruarve, edhe tironsave, se kanë vite që presin…”, deklaroi Rama.
Top Channel