Nuk është hera e parë që do të këndojë në Shqipëri, por është e para herë që sopranoja Arlinda Morava do të shoqërohet nga një orkestër shumë e veçantë.

Janë rreth 30 instrumentiste nga Bukureshti, që të gjitha femra që do të mbushin të mërkurën në orën 19:00 shkallët e Muzeut Historik Kombëtar në një mbrëmje të veçantë.

“Po sjell vetëm orkestër vajzash “Bucharest Ladies Orchestra”, e cila është e vetmja orkestër vajzash. Instrumentistet më të mira që janë shumë të preferuara kudo në Europë, pikërisht sepse janë vajza dhe kanë një program shumë të zgjedhur. Duke pasur parasysh emrin tim që unë kam atje, e pritën me shumë kënaqësi ardhjen, të njohin vendin tim, gjë që mua më impresionoi e më preku pa masë”, thotë sopranoja Arlinda Morava.

Alfredo Pascu, Klejda Tare e Lorenc Radovani janë vetëm disa nga të ftuarit të mbrëmjes.
 
“Do të jetë një mbrëmje shoë, por që do të ketë edhe operetën edhe musical, edhe tango edhe valset e preferuara të artistëve të mëdhenj dhe emocionet janë shumë të forta, por nuk do t’ia kisha dalë e vetme. Dua të falenderoj në mënyrë të veçantë Bashkinë e Tiranës. Uroj që të jetë vërtetë një mbrëmje magjike për vendin tim, sepse për ne që jetojmë jashtë nuk ka gjë më impresionuese sesa të vijmë në vendin tonë e të ofrojmë gjëra shumë të bukura”, vijon sopranoja.

Pas Tiranës, Arlinda Morava dhe të ftuarat e saj speciale do të udhëtojnë drejt Beratit dhe Korçës në dy koncerte të tjera.

Top Channel