Basha: Vota u ble! Selami: Të shohim problemin tek vetja

18/07/2017 00:00

Lulzim Basha dhe Eduard Selami ishin para demokratëve të Shkodrës, ku Basha theksoi, sipas tij, deformimin e vullnetit të qytetarëve me 25 qershor, ndërsa Selami vuri në dukje se PD duhet të funksionojë në mënyrë demokratike ,siç nuk kemi funksionuar.

“Unë jam nga ata që e shoh problemin tek vetja, se kundërshtari këtë punë ka. Jo vetëm kaq, por edhe avantazhet që ka kundërshtari. Ne duhet të ulemi dhe të shohim se si duhet t’ia heqim nga dora, se nëqoftëse ne mendojmë që shitblerja e votes, qe arsyeja kryesore e humbjes, mendoni ju se kjo në zgjedhjet e ardhshme do të bjerë?! Jo”, tha Selami.

Më tej, kandidati për kryetar të PD shprehu bindjen se platforma e tij ringre partinë.

“Me këtë platformë, unë mendoj se kemi për t’u ringritur më të fortë akoma. Do t’u rikthehemi edhe vlerave tona. Do t’i kthehemi qendrës tonë, filozofisë tonë të djathtë. Do të hapim një dialog jo vetëm brenda bazës tonë por, edhe me shoqërinë civile. Edhe me rininë, e cila fatkeqësisht na ka braktisur. Hajde të hapim një debat të gjerë që t’u japim shpresë shqiptarëve”, tha Selami.

Lulzim Basha iu rikthye katër viteve në opozitë.

“Ka katër vite që jemi në betejë të përditshme me një pushtet të bërë njësh me krimin, me një pushtet të ardhur përmes krimit e që sundon bashkë me krimin. Nga dekriminalizimi, tek beteja kundër drogës që është një projekt i pastër politik i Edi Ramës, për të fshehur dështimin e tij ekonomik dhe për të përgatitur tjetërsimin e vullnetit të shqiptarëve, e deri tek beteja për zgjedhje të lira e të ndershme, kauzat tona janë provuar, jo vetëm si kauza të drejta e të rëndësishme, por më jetiket sot për Shkodrën e për mbarë Shqipërinë. 25 qershori e provoi këtë katërcipërisht”, tha ai.

Basha tha se janë paguar votuesit e opozitës për të mos dalë të votojnë.

“Në Tiranë, vetëm për të mos dalë në votime, plani ka qenë 5 deri 15 familje opozitare për qendër votimi, pagesa 200 mijë lekë për familjar, jo për votues. E kjo është shtrirë anembanë vendit në përmasa dhe forma të ndryshme, por me një synim; me para, me dhunë, me terror, për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve. Ndaj njësoj si në ’91, këto zgjedhje nuk reflektojnë vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë”, vijoi ai.

Top Channel