Kukësi pret moldavët, ndeshja të mërkurën në “Elbasan Arena”

17/07/2017 00:00

Ditën e mërkurë, skuadra e Kukësit do të zhvillojë ndeshjen e kthimit ne “Elbasan Arena”, përball Sheriff Tiraspol, e vlefshme për raundin e dytë të Champions League.

Në takimin e parë verilindorët u mundën me rezultatin 1-0, megjithatë, trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, shprehet më optimist për ndeshjen e  kthimit, duke qenë se tashmë kanë më tepër njohuri për kundërshtarin.

“Do të jetë shumë e vështirë, megjithatë ne do të bëjmë maksimumin për të shfrytëzuar maksimalisht rastet që do të kemi. Rezultati 1-0 që jemi mundur është shumë i sikletshëm pasi na duhet të shënojmë dy gola dhe të mos pësojmë”, u shpreh Ernest Gjoka, trajner i Kukësit.

Kualifikimi ose jo i Kukësit për në raundin tjetër mban peng edhe shumë rinovime kontratash, duke filluar nga trajneri Ernest Gjoka, deri tek 7-8 lojtarë të cilët ende nuk kanë rinovuar për sezonin e ardhshëm. Ndërkohë ditën e hënë trajneri i Kukësit, duket të ketë marrë edhe një zgjidhje përfundimtare për çështjen që ka patur me ish-skuadrën e tij Flamurtari.

“Gjithçka është zgjidhur besoj përfundimisht, do të jetë Federata që do të vazhdojë procedurat. Unë nuk kam dashur asnjëherë që skuadra e Flamurtarit të penalizohet me pikë. Megjithatë të gjithë e dinë që kam kërkuar atë që meritoj dhe unë ato para janë të mijat”, tha Gjoka.

Aktualisht nuk do të ketë më heqje pikësh për skuadrën e Flamurtarit. Paratë e pagave të prapambetura të Ernest Gjokës, që kapin shifrën e rreth 49 mijë eurove, do të paguhen nga paratë e të drejtave televizive apo të ardhurave të tjera që Flamurtari merr nëpërmjet FSHF.

Aktualisht, në arkën e skuadrës vlonjate janë rreth 43 mijë euro, me të cilat do të paguhen me këste detyrimet disiplinore dhe sportive të kësaj skuadre.

Top Channel