Të rralla kanë qenë ato njoftime televizive që e kanë mbajtur publikun në ethe ashtu si emri i aktorit që do të interpretonte Time Lord në serialin britanik fantastiko-shkencor Doctor Who.

Kur në fund ai u zbulua, rrjetet sociale u çmendën. Për të parën herë në historinë 50-vjeçare të serialit, roli do t’i besohet një gruaje. Në internet plasën debatet e mijëra njerëz nga e gjithë bota kanë komentuar përzgjedhjen e Jodie Whittaker.

Një pjesë flisnin për modelin e jashtëzakonshëm që do të jetë një Doktor i ri për gratë dhe vajzat, të tjerë këmbëngulin se ky personazh është konceptuar të jetë vetëm mashkull.

Show konsiderohet pjesë e rëndësishme e kulturës popullore britanike e ka grumbulluar deri edhe ithtarë si ata të një kulti. Gjenerata të tëra profesionistësh televizivë në Mbretërinë e Bashkuar janë influencuar prej tij.

Programi origjinal u transmetua nga viti 1963 deri ne 1989-ten. Ai rrëfen aventurat e Time Lord-it të quajtur Doctor Who, një qenie jashtëtokësore nga planeti Gallifrey që eksploron Universin me anijen kozmike “Tardis”, e cila udhëton në kohë.

Pamja e jashtme e saj ngjason shumë me atë të një kabinë policie ngjyrë blu, që shihej shpesh në Britaninë e viteve ‘60, kur filloi transmetimi i serialit. I shoqëruar nga mjaft bashkudhëtarë , doktori jashtëtokësor  ndeshet me armiq të ndryshëm, ndërsa përpiqet të shpëtojë civilizimin e të ndihmojë personat në nevojë.

Mes atyre që përshëndetën zgjedhjen e Whittaker ka edhe shumë yje të ekranit, por kritiket thonë se prodhuesja e serialit, BBC, e shkatërroi personazhin për hir të korrektesës politike.

Top Channel