
Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në Partinë Demokratike zhvilloi sot mbledhjen e tij të radhës.
Në këtë mbledhje u administruan dokumentacionet zyrtare të degëve të PD që kanë të bëjnë me përbërjen e komisioneve të votimit, vendet e votimit, si dhe listat shtesë për anëtarët që kanë karta antarësie ndër vite, por që për arsye teknike nuk ishin përditësuar në regjistrin elektronik.
Deri në mesditë janë administruar të dhënat e 64 degëve nga 68 gjithësej, thuhet në një njoftim për shtyp të selisë blu, ku saktësohet se 15 korriku është dhe afati përfundimtar për administrimin e këtyre të dhënave.
Komisioni vendosi si afat të fundit për përfaqësuesit e kandidatëve datën 16 korrik për të sjellë listën e përfaqësuesve të secilit kandidat për 68 komisionet e votimit.
Aktualisht Komisioni është duke përpunuar të dhënat e listave shtesë të cilat do t’i bashkëlidhen regjistrit elektronik dhe 5 ditë para zgjedhjeve do të merret vendimi për listën përfundimtare të votuesve.
Komisioni gjithashtu mori në shqyrtim të gjitha përgatitjet logjistike për votimet e 22 korrikut. Tashmë janë gati vulat zgjedhore, fletët e votimit, formularët e posaçëm, etj. “I gjithë procesi po ecën normalisht konform rregullave statutore të PDSH-së”, përfundon njoftimi.
Top Channel