Vdekja e disidentit nobelist, kritika për qeverinë kineze

14/07/2017 00:00

E gjithë bota i ka bërë homazhe aktivistit të të drejtave të njeriut, njëkohësisht fitues i çmimit “Nobel”, Liu Xiaobo, i cili ndërroi jetë të enjten.

Por, ndërsa figura e tij vlerësohet lart, qeveria kineze përballet me një rrebesh kritikash ndërkombëtare, për faktin që nuk lejoi trajtimin e tij jashtë kufijve.

Disidenti 61-vjeçar vdiq pas një beteje me kancerin e mëlçisë në një spital të Shenyangut, ku ishte dërguar nga qelia e burgut në fazën përfundimtare të sëmundjes.

Kohët e fundit, autoritetet kineze refuzuan kërkesën e familjes së tij që të dërgohej për kurim në Shtetet e Bashkuara ose në Gjermani, duke thënë se po i bëhej shërbimi më i mirë mjekësor në spitalin ku ndodhej.

Xiaobo kaloi një dekadë prapa hekurave për mbështetjen e idesë së reformave politike. Duke e cilësuar të “parakohshme” vdekjen e tij, Komiteti i Nobelit që ia dha çmimin në vitin 2010, deklaroi se mbi autoritetet kineze rëndon një pjesë e madhe e përgjegjësisë.

Por Pekini e konsideron këtë një çështje të brendshme, e thotë se asnjë vend tjetër nuk është në pozicionin të bëjë vërejtje. Mbi Kinën po shtohet presioni që të lirojë bashkëshorten e Xiaobos, poeten Liu Xia, nga arresti shtëpiak.

Top Channel