Trump, sinjale “tërheqjeje” nga muri dhe klima

14/07/2017 00:00

Donald Trump duket se po ndryshon mendim për murin e Meksikës dhe për marrëveshjen e klimës.

Udhëtimi drejt Francës duket ka pasur ndikim te shefi i Shtëpisë së Bardhë, sepse komentin e parë, atë të strukturës rrethuese që supozohet të pengojë emigracionin e paligjshëm e bëri në avionin presidencial që po e dërgonte atje, e të dytin gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kreun e Elizesë, Emmanuel Macron.

“Mbase nuk është e nevojshme që muri të mbulojë të gjithë kufirin me Meksikën, për shkak të barrierave natyrale ekzistuese”, u tha ai gazetarëve në bordin e “Air Force One”, ku shprehu edhe një herë dëshirën që dizajni përfundimtar të përfshijë panelet diellore.

Më vonë në Paris, në krah të Macronit tha se “diçka mund të ndodhë” në lidhje me vendimin e Uashingtonit për t’u tërhequr nga marrëveshja e klimës. Të premten, Trump iu bashkua presidentit francez për paradën e Ditës së Bastijës.

Trupa amerikane e franceze marshuan së bashku në “Champs-Élysée” për të shënuar 100-vjetorin e hyrjes së Shteteve të Bashkuara në Luftën e Parë Botërore.

Parada madhështore ofroi dhe një spektakël kalorsiak, ndërsa nuk munguan avionët e helikopterët. Nga një “Jeep” ushtarak, Macron inspektoi trupat e rreshtuara në anë të shëtitores së famshme.

“Kemi gjetur aleatë dhe miq, të cilëve mund t’iu besojmë, e të cilët na erdhën asokohe në ndihmë”, u shpreh Macron. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në mesin e tyre dhe kjo është arsyeja, përse askush nuk do të na përçajë dot”.

Trump ishte shprehur më herët se “lufta për liri” ishte ajo që bashkoi Amerikën dhe Francën. Frika e sulmeve të mundshme shtyu autoritetet të zbraznin “Champs-Élysée”-në dy orë përpara nisjes së paradës, së bashku me sheshin më të madh të Parisit, “Place de la Concorde”.

Top Channel