Sulm në “Malin e Tempullit”, vriten policët izraelitë

14/07/2017 00:00

Zona më e shenjtë e Jeruzalemit, e njohur prej hebrenjve si “Mali i Tempullit” dhe prej myslimanëve si “Haram al-Sharif”, është mbyllur për publikun pas të shtënave që shkaktuan plagosjen e 3 izraelitëve.

Dy prej tyre, më vonë kanë ndërruar jetë prej plagëve të marra. Agresorët arabo-izraelitë janë qëlluar për vdekje nga policia. Ata kishin hyrë qetësisht në vendin e shenjtë dhe i ishin drejtuar njërës prej portave të qytetit të vjetër, asaj të “Luanëve”, kur papritur hapën zjarr.

Incidenti vjen disa javë pasi një police izraelite vdiq, e sulmuar me thikë nga 3 palestinezë që vinin prej Bregut Perëndimor. Plot 42 izraelitë janë vrarë gjatë dy viteve të fundit, në sulme të ngjashme me këto, e në të njëjtën periudhë kohe të vdekurit nga radhët e palestinezëve janë të paktën 255, shumica sulmues, të tjerë të vrarë në luftime me trupat e shtetit hebre.

Izraeli pretendon se nxitja e lidershipit është ajo që i hedh benzinë zjarrit të agresionit, por udhëheqja palestineze fajëson për këtë situatë zemërimin rrënjësor të thellë, nga dekada të tëra pushtimi.

Tensionet janë veçanërisht të larta në kompleksin e mermertë që strehon xhaminë e famshme “Al Aqsa” dhe kupolën e artë të shkëmbit. Xhamia menaxhohet nga autoritetet jordaneze dhe është shumë pranë “Murit Perëndimor”, vendi më i shenjtë ku hebrenjve u lejohet lutja.

Top Channel