Publiku i Tiranës i kishte pritur prej kohësh në një koncert të tillë dhe ata erdhën: me një koncert shumë të veçantë për të kremtuar 20-vjetorin e krijimit të tyre për të gjithë fansat që bashkë me ta festuan për 1 orë e 30 minuta ditëlindjen e tyre të njëzetë.

Një album i ri ishte dhurata e grupit për fansat, album të cilin e kanë titulluar ‘3.56 am’, jo për të treguar se janë të shumta netët pa gjumë kur punojnë për këngët e reja, por në nder të një grupi nga Tirana, sepse për ta Tirana dhe Prishtina janë një.

“”3.56 është grupi, një grup shumë i talentuar i Tiranës me karrierë në muzikë shumë interesante. Ne i morëm ata me na mbështet në hapjen e koncertit, kështu e lidhëm edhe me një grup të Tiranës që me u përmbledh sa më shumë koncerti”, tha Alban Nimani, solist.

Këtë ngjarje të shënuar në karrierën e tyre djemtë e grupit e kanë shoqëruar me ekspozitën ku përmblidhet rrugëtimi i tyre muzikor. E kanë titulluar ‘Kur e di që nuk di’ për të treguar se edhe pse shumë vite në muzikë, modestia është ajo që i ka shoqëruar kurdoherë.

“Është titulli i këngës së dytë që e kemi përdorur për albumin e parë dhe mendoj që kjo në njëfarë mënyre shpreh modestinë tonë që e kemi mbajt gjatë gjithë kohës për 20 vite. Menduam ta quajmë ekspozitën me këtë titull”, u shpreh Nimani.

Të gjithë adhuruesit e muzikës së tyre mund të vizitojnë ekspozitën që do të qëndrojë e hapur edhe përgjatë javës në vijim në MHK.

Top Channel