Trump: Atmosfera është fantastike në Shtëpinë e Bardhë

13/07/2017 00:00

Atmosfera në Shtëpinë e Bardhë “është fantastike”, pretendon Donald Trump, pavarësisht verifikimit intensiv që po iu bëhet lidhjeve të supozuara të stafit të tij të fushatës me Rusinë.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha për “Reuters” se, administrata “funksionon për bukuri”. Presidenti mbrojti po kështu të birin, të gjendur këto ditë në fokusin e medias për takimin me një avokate ruse të lidhur me Kremlinin, në kohën kur republikani luftonte për të marrë çelësat e Zyrës Ovale.

Në shtypin vendas thuhet se, pas daljes në dritë të këtij takimi dhe reagimeve që ai ka ngjallur, Shtëpia e Bardhë është në kaos. Vet një aleat i Trumpit e ka përshkruar gjendjen si “uragan i kategorisë së pestë”, thotë “Washington Post”.

Kreu i shtetit amerikan u shpreh se ajo e fushatës ishte një kohë e rrëmujshme, kur mund të takoheshe me lloj-lloj njerëzish. Ai refuzoi të thoshte se i vinte keq për veprimet e të birit, duke deklaruar se shumica e politikanëve mashtrues që njeh, të cilët janë demokratë dhe i ka parë në aksion ditët e fundit, do ta kishin pranuar atë takim sa hap e mbyll sytë.

Donald Trump Jr. e takoi Natalia Veselnitskaya duke menduar se ajo kishte informacione që do të dëmtonin kundërshtaren e të atit, Hillari Clinton. Ai tha për “Fox News” se, takimi rezultoi një “hiç” dhe se me juristen ruse harxhoi më kot 20 minuta, por e pranoi se duhet ta kishte menaxhuar ndryshe situatën.

Komentet e fundit të Trump erdhën në fillimin e udhëtimit të tij dyditor në Francë, ku do të takohet me homologun francez Emmanuel Macron, përpara kremtimeve të Ditës së Bastijës të premten, kur do të përkutjohen edhe 100 vitet e hyrjes së trupave amerikane në Luftën e Parë Botërore.

Top Channel