Rama: S’ka listë të zezë. Nuk keni parë gjë ende

13/07/2017 00:00

Me kritika dhe ironi, Edi Rama reagoi për atë çfarë qytetarët, përmes komenteve e cilësuan “listën e zezë” të punonjësve të Administratës Publike apo zyrtarëve të lartë.

Në shkrimin që mbante titullin “Lule mos më prek”, kryeministri pati një përgjigje për listën e shumëpërfolur, duke sqaruar se të 100 emrat që gjenden në të janë nxjerrë nga komentet e qytetarëve, e nuk janë as “listë e zezë” dhe as qëndrimi apo opinioni i tij personal.

“E para, emrat janë nxjerrë nga komentet e miqve të këtij rrjeti social, pra kanë qenë aty, në postimin prej ku janë përmbledhur dhe nuk janë as ‘listë e zezë’, as ‘listë shtrigash’, as kurrëfarë gjëje tjetër, përveçse një përmbledhje mekanike që ka bërë skuadra e shënimeve. E dyta, përmbledhja në fjalë nuk është as opinioni im, as qëndrim i imi, as qëllim për të hedhur hije mbi ndokënd, apo arsye për të vepruar administrativisht ndaj askujt prej individëve në fjalë. E treta, ‘lulet mos më prek’ dhe të gjithë tallavaxhinjtë e katundit politik e mediatik, që qenkan kuturisur sot të vënë kujën për demokracinë në rrezik, i këshilloj të ruajnë energjitë sepse nuk kanë parë e as dëgjuar gjë ende”, shkruan kryeministri Rama.

Rama shkon më tej, kur e cilëson platformën online të njerëzve të zakonshëm “Për Shqipërinë që duam”, ferrin e kujtdo që paguhet nga shteti dhe abuzon me njerëzit e zakonshëm.

“Dhe sigurisht, – shkruan më tej kryeministri, – do të jetë ferri i një koalicioni të madh kundër tepsixhinjve, harbutëve dhe parazitëve që paguhen nga taksat tona, e që pa pikën e turpit abuzojnë sa herë u del në shteg njeriu i zakonshëm me hallin e tij”.

Top Channel