Në Paris, presidenti Trump mbron të birin: Patriot i mirë

13/07/2017 00:00

Miqësia me Francën është e pathyeshme! Në takimin e tij të dytë me presidentin francez, Emmanuel Macron në Paris, Donald Trump është kujdesur të lërë pas krahëve skepticizmin që nxiti përballja e parë mes dy udhëheqësve, ku nervozizmi ishte i dukshëm edhe në gjestikulacione.

Në një konferencë për shtyp në Pallatin “Elysee”, ku zhvilluan një takim prej gati një orë, Trump dhe Macron thanë se kishin rënë dakord mbi rëndësinë e promovimit të tregtisë së lirë dhe rritjes së bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit.

Në një kohë kur në atdheun e tij ka shpërthyer një furtunë politike lidhur me rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale, numri një i Uashingtonit nuk kishte si t’u shpëtonte pyetjeve mbi këtë çështje. Ai mbrojti të birin, Donald Trump Jr., i cili pak ditë më parë publikoi “e-mail”-et që konfirmonin se kishte pranuar të takonte një avokate ruse, që do t’i jepte informacione të dëmshme për demokraten Hillary Clinton.

Trump e cilësoi djalin e tij si një njeri të mrekullueshëm dhe tha se shumica e njerëzve nuk do ta kishin refuzuar takimin. Kreu i Shtëpisë së Bardhë mbërriti të enjten në kryeqytetin francez, me ftesë të homologut të tij Emmanuel Macron, për të marrë pjesë në festimet me rastin e Ditës së Bastijës.

Këtë herë, atmosfera mes dy udhëheqësve ishte më e qetësuar, me Trumpin që prekte miqësisht në shpatull kreun e Elizesë. Presidenti amerikan u prit me nderime ushtarake në kompleksin historik ushtarak “Les Invalides”, ku Macron i tregoi edhe varrin e Napoleonit. Më vonë Trump dhe bashkëshortja e tij Melania do të darkojnë me çiftin presidencial francez në restoranin e famshëm në majë të kullës “Eiffel”.

Top Channel