Gara në PD, Basha dhe Selami me demokratët e Vlorës

13/07/2017 00:00

Lulzim Basha ka në qendër të analizës së humbjes së Partisë Demokratike blerjen masive të votës nga Partia Socialiste dhe partitë e tjera qeveritare që përpara arritjes e marrëveshjes.

Basha u tha demokratëve të Vlorës se opozita ishte e vetmja forcë me një program, por kjo nuk mjaftoi njësoj si në ‘91-shin.

“Sepse njësoj si atëherë, faktorët që vendosën nuk ishin votat dhe vullneti i shqiptarëve, por tjetërsimi i këtij vullneti duke përdorur frikën, dëshpërimin, dhe varfërinë e thelluar nga kjo qeveri për të blerë vota, për të kërcënuar dhe shantazhuar votuesit dhe për të tjetërsuar rezultatin”, tha Basha.

Por në takimin e tij me demokratët e Vlorës, Eduard Selami ka një analizë tjetër për humbjen, të cilën e mbështet tek sjellja e Bashës me partnerët ndërkombëtarë para dhe pas marrëveshjes.

“E kam quajtur një politikë të gabuar të Bashës dhe aty u dëmtua mënyrën sesi e trajtojnë çështjen e marrëveshjes dhe futjen e tij në përplasje me komunitetin ndërkombëtar dhe aleatët tanë strategjik dhe këtë çmim e pagoi me humbjen. Marrëveshjen e kam përshëndetur thjesht në parim, ndërsa detajet e saj i kam kritikuar dhe them që është një ndër shkaqet e humbjes”, tha Selami.

Eduard Selami beson se kthimi tek vlerat e së djathtës, si në kohën e themelimit, është rruga për t’i sjellë fitoren Partisë Demokratike.

“Ne e filluam si parti e intelektualëve, pesha specifike e Partisë Demokratike në fillimet e saj ka qenë shumë e lartë. Ne këtë duhet te kthejmë, po nuk u kthyen dot këtu, nuk kthejmë dot shpresën, nuk vijmë dot ne pushtet, së bashku do ta bëjmë”, tha Selami.

Ndërsa Lulzim Basha e shikon ringritjen e demokratëve të lidhur me tre sfida të ardhshme.

“Beteja për zgjedhje të lira e të ndershme, beteja për bashkimin e demokratëve në bazë të kontributit dhe fuqizimin e anëtarësisë së Partisë Demokratike dhe beteja për fatet e përditshme të shqiptarëve”, u shpreh Basha.

Ndërkohë, grupi kundërshtar i Lulzim Bashës shpërndau një tjetër peticion që kërkon ndërprerjen e  procesit të zgjedhjes së kryetarit, duke e quajtur atë një farsë.

Peticioni ishte firmosur nga mbi 60 persona të njësisë 7 në Tiranë, por në një deklaratë tjetër, dega përkatëse tha se vetëm 14 prej tyre ishin anëtarë të Partisë Demokratike, 13 prej të cilëve kanë denoncuar listën si të falsifikuar.

Top Channel