DASH masa të reja për viza në SHBA

13/07/2017 00:00

Departamenti Amerikan i Shtetit do t’i kërkojë të gjitha shteteve të ofrojnë të dhëna shtesë për aplikantët për vizë amerikane dhe të vlerësojnë nëse ata paraqesin një kërcënim terrorist.

Sipas një kabllogrami të siguruar nga agjencia e lajmeve Reuters vendet që nuk do t’i përmbahen protokollit të ri ose që nuk do të marrin masa për ta bërë këtë brenda 50 ditëve mund të përballen me sanksione udhëtimi.

Kabllogrami që i është dërguar të gjitha selive diplomatike amerikane te mërkurën është përmbledhje e një rishikimi mbarëbotëror të procedurave të kontrollit, i kërkuar si pjesë e urdhrit te ri ekzekutiv të Donald Trumpit që ndalon udhëtimet e qytetarëve nga 6 vende me shumicë myslimane.

Memoja parashtron një seri standardesh që SHBA do të kërkojë nga shtetet e tjera, përfshirë edhe lëshimin ose planet konkrete për lëshimin e pasaportave biometrike dhe raportimin e rregullt te pasaportave te humbura apo te vjedhura tek Interpoli.

Ajo gjithashtu udhëzon vendet të sigurojnë çdo lloj informacioni tjetër i kërkuar nga Uashingtoni për aplikantët për vizë, përfshirë detajet biometrike ose biografike. Shtetet do të jenë të detyruara të ofrojnë të dhëna edhe për individë që njihen ose dyshohen për lidhje terroriste apo që kanë precedentë penale.

Kabllogrami parashtron faktorët e rrezikut që qeveria amerikane do të konsideroje kur të vlerësojë një shtet. Disa janë kontroverse dhe disa vende mund ta kenë të vështirë t’i provojnë SHBA-së një individ i caktuar nuk është apo nuk ka potencialin për t’u bërë terrorist.

Nëse ato nuk do të ofrojnë informacionet e kërkuara apo nuk do të hartojnë një plan për ta bërë këtë për 50 ditë mund të përballen me sanksione të tilla si ndalimi i hyrjes në SHBA të kategorive të caktuara të shtetasve të këtyre vendeve.

Top Channel