Çmimet ESPY, Biles e Westbrook më të mirët

13/07/2017 00:00

“Microsoft Theater Arena” në Los Angeles u bë skena ku u ndanë çmimet ESPY për sportistët më të mirë në SHBA për vitin 2017.

Në kategorinë e femrave ishte gjimnastja Simone Biles ajo që triumfoi, ndërkohë që për meshkuj titulli i sportistit më të mirë i shkoi Russell Westbrook, i shpallur MVP i sezonit të rregullt në NBA.

Në këtë mbrëmje gala që zgjati 3 orë u dha një çmim për skuadrën më të mirë të vitit, që ishte Golden State Warriors, skuadra kampione e NBA, ndërkohë që vlerësimet nuk munguan as për notarin Michael Phelps, për paraqitjet e tij rekord.

Çmimi për momentin sportiv më të mirë e fitoi skuadra e bejsbollit Chicago Cubs, që fitoi titullin botëror pas 108 vitesh, një çmim që iu dorëzua aktorit Bill Murray.

Çmimi për ndeshjen më të mirë iu dha New England Patriots për përmbysjen historike në finalen e Super Bowl në National Football League, me Atlanta Falcons.

E pranishme në këtë mbrëmje ishte edhe ish-Zonja e Parë e SHBA, Michelle Obama, për të cilën të gjithë u ngritën në këmbë dhe e duartrokitën fort teksa shqiptoi emrin e Eunice Kennedy Shriver si fituesen e çmimit “Arthur Ashe Courage Award” për themelimin e Lojërave Olimpike Speciale.

Top Channel