Shqipëria në Trieste, Rama: Mbështesim zonën ekonomike rajonale

12/07/2017 00:00

Shqipëria do të mbështesë krijimin e një zone ekonomike të përbashkët rajonale dhe Edi Rama do ta mbrojë këtë qëndrim edhe në Samitin e Triestes, ku përveç liderwve të Ballkanit, do të marrin pjesë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emanuel Macron.

Në një shkrim të gjatë botuar në prestigjozen amerikane “The Wall Street Journal” kryeministri shqiptar flet për një platformë të përbashkët për rritjen ekonomike, duke e parë edhe si një mundësi më shumë për t’ju afruar Bashkimit Europian.
 
“Do të jetë një mundësi jo vetëm për të diskutuar mbi rrugën e integrimit në Bashkimin Europian, por edhe për të mbyllur plagët e të shkuarës, për t’u bërë bashkë rreth një ideje dhe më e rëndësishmja, për të krijuar një platformë për rritjen ekonomike. Midis të tjerave, do të na kërkohet që të mbështesim krijimin e një zone ekonomike rajonale. Unë do të argumentoj pro saj. Këtë javë, në Itali, do të mbështes fuqimisht krijimin e zonës rajonale ekonomike, si një gur themeli që do të lehtësojë procesin e anëtarësimit tonë në Bashkimin Europian. Ekzistojnë disa dyshime mbi këtë plan. Disa prej kolegëve të mi të Ballkanit Perëndimor i frikësohen idesë se kjo zonë ekonomike rajonale mund të jetë një rrugë pa krye, një stacion në të cilin Brukseli do të na braktisë”, shkruan Rama.

Dhe kryeministri e argumenton idenë e tij duke kujtuar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Europës Qëndrore dhe përfitimet nga një platformë e tillë e përbashkët: “Përfitimet e një zone ekonomike rajonale janë të menjëhershme. Tregu i Ballkanit Perëndimor prej 20 milionë banorësh është më tërheqës për tregtinë dhe për investitorët sesa tregu shqiptar me më pak se katër milionë banorë. Kjo është e rëndësishme për qeverinë time. Ne duam që të çlirojmë potencialin e plotë të kapaciteteve tona kombëtare dhe të inkurajojmë krjimin e më shumë vendeve të punës dhe prodhimit. Ndaj, do të bëjmë më të mirën për të bindur fqinjët tanë për të mbështetur këtë plan. Ne kemi disa ide që do t’i shprehim për t’i siguruar ata për qëllimet e mira të BE-së dhe jam i sigurt se Johannes Hahn, Komisioneri Europian për Zgjerimin, do të bëjë të njëjtën gjë”.

Në shkrimin për të përditshmen amerikane, kreu i qeverisë shqiptare flet edhe për fitoren e 25 qershorit, kur thotë se shqiptarët votuan programin e socialistëve.

“Pas katër vitesh në koalicion me një partner më të vogël, partia ime bëri fushatë për të pasur një mandat të fuqishëm për të pastruar shtëpinë tonë dhe fituam, si rrallë herë, shumicën parlamentare. Shqiptarët mbështetën planin tonë për shtetndërtimin dhe reformat institucionale, plane që përfundimisht do të depolitizojnë qeverisjen dhe do të shpërblejnë mundimet e njerëzve të zakonshëm”, shkruan Rama.

Dhe në fund, Rama thotë se Shqipëria ka shanse për të çelur negociatat brenda këtij viti, por kjo pasi të përmbushet angazhimi për reformimin e gjykatave dhe sistemit të drejtësisë.

Top Channel