Selami: Basha të heqë ministrat teknikë. Basha: PD, e vetmja parti me moral

12/07/2017 00:00

Kandidati për kryetar të PD, Eduard Selami ka vijuar turin e takimeve me demokratët në Tepelenë, Gjirokastër dhe Këlcyrë.

Selami i kërkoi Lulzim Bashës të shprehet qartë kundër një koalicioni të mundshëm me Partinë Socialiste dhe të tërheqë mënjëherë  ministrat teknikë.

Nëse vazhdohet të luhet me dy porta dhe të shihet nga LSI e PS, ka theksuar Selami, humbja do të thellohet edhe më tej.

“Unë nuk e kuptoj pse duhet të rrinë ministrat tanë në qeveri?! Duhet distancuar që tani nga marrëveshja, sepse marrëveshja ishte një nga shkaqet e humbjes. Zotit Basha ia kam thënë dhe do t’ia them prap, tërhiqi ministrat nga qeveria. Prano që ne nuk bëjmë koalicion qeveritar me Partinë Socialiste. Nëse ne duam të vijmë në pushtet duhet ta fillojmë opozitën që tani. Shqiptarët na kanë votuar në opozitë”, tha Selami.

Ai i qendroi idesë se gara për kryetar është e pabarabartë, por u shpreh i bindur se është tërësisht e fitueshme. Nga ana e tij, Lulzim Basha deri tani nuk ka një përgjigje direkte për kërkesën e Selamit, por me demokratët e qarkut Gjirokastër, qëndrimi i tij nuk la vend për hamendje, kur foli për përballje me qeverinë e Edi Ramës.

“Tani të gjithë e panë se Edi Rama nuk mund të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme, se me krimin dhe drogën nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme. Se e vetmja rrugë është përballja dhe fitorja mbi ta me masën popullore që mund dhe do të ndjekë vetëm ata që kanë moralin për ta udhëhequr këtë betejë. Dhe moralin sot nuk e ka asnjë forcë tjetër politike përveç Partisë Demokratike”, deklaroi Basha.

Të dy kandidatët iu referuan viteve të para të demorkacisë, por qëllimet i kishin të ndryshme. Basha për të treguar sesi u soll Rama në zgjedhje, Selami për të treguar si duhet të jetë Partia Demokratike.

“Njësoj si në vitin 1991, e vetmja forcë që ruajti moralin duke treguar rrugët e daljes për çdo shqiptar është forca e koalicionit dhe Partisë Demokratike. Dhe në këto kushte të pabarabarta, mbi 450 mijë shqiptarë që ndoqën rrugën tonë, duke refuzuar jo pa risk ankandin e votave, duke refuzuar presionin e krimit dhe të shtetit, janë një frymëzim i madh për mua, jam i sigurtë për ju dhe Partinë Demokratike”, tha Basha.

“Ishte mandat për t’u ndarë nga një epokë brutale. Ne e filluam mirë por e shpërdoruam, e dorëzuam. Së bashku ne duhet të vendosim një kontratë të re siç e kemi pasur në vitin 1992. Unë di ta rikthej PD-në të funksionojë si parti bashkëkohore, si simotrat e PPE, me rregulla loje ku karriera dhe meritokracia do zgjidhet nga ju me 1 anëtar 1 votë”, tha Selami.

Top Channel