Pentagoni nuk e konfirmon vdekjen e Al-Baghdadit

12/07/2017 00:00

Zyrtarët e Pentagonit nuk kanë informacione që të konfirmojnë vdekjen e kreut të Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi.

“Ne nuk mund ta konfirmojmë këtë, por shpresojmë që të jetë e vërtetë”, thuhet në një deklaratë të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Organizata “Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut”, me seli në Britani, njoftoi të martën se ka të dhëna që dëshmojnë vdekjen e udhëheqësit të ISIS-it.

“Tani mësuam për lajmin, por nuk dimë kur vdiq, apo si”, tha drejtori i grupit të monitorimit, Rami Abdel Rahman, për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Abu Bakr al-Baghdadi, 46 vjeç, nuk është parë më që prej vitit 2014, kur ai u shfaq në xhaminë “al-Nuri” të Mosulit për të deklaruar “kalifatin islamik” në tokat e kontrolluara nga ISIS-i në Irak dhe Siri.

Disa herë kanë qarkulluar lajme të gabuara për vrasjen ose plagosjen e tij. Militantët e Shtetit Islamik e hodhën në erë xhaminë dhe minarenë e saj kryesore muajin e kaluar. Dy ditë më parë, kryeministri irakian Haider al-Abadi deklaroi zyrtarisht fitoren ndaj ISIS-it në qytetin e dytë më të madh të Irakut.

Top Channel