Nino Celeste është emër që ka lënë gjurmën e tij në kinemanë italiane dhe atë botërore, por bashkëpunimet me Shqipërinë po ashtu nuk kanë qenë të pakta.

Përveçse një lidhje nga bashkëshortja e tij me këtë vend, në vizitat e tij të shpeshta ai ka kuriozitetin për të njohur historinë tonë, sepse sipas tij çdo gjë e ka fillesën nga historia.

“Unë e dashuroj Shqipërinë. Por nga e shkuara nuk di pothuajse asgjë. Prandaj u shtyva të vij. Doja të kuptoja ekzaktësisht çfarë ishin ato kohë në Shqipëri. Në Itali thuheshin shumë histori rreth Shqipërisë së asaj kohe, unë doja t’i zbuloja ato histori“, shprehet Nino Celeste.
Celeste është një fans i kinemasë romantike, nga ato kinema që mbizotëron dashuria. Ai e ndien këtë që nga epoka e filmave me emra ikonë si Sofia Loren, Maria Callas, Pasolini etj. Nuk ngurron të shprehet se ndërsa sheh filmat tanë të periudhës socialiste ato i duken me fotografi të bukur, por nuk kupton dot urrejtjen.

“Përse nuk e duam dashurinë, pse duhet të luftojmë gjithmonë mes të pasurish e të varfërish, i mençur apo jo. Unë kam punuar filmin Amanet dhe Mao Ce Dun më herët që flisnin për periudhën e diktaturës dhe kur shija këto gjëra që ndodhnin unë ndihesha keq”, thotë Celeste.

Së fundmi ai ka bashkëpunuar me regjisorin Viron Roboci, filmin me metrazh të shkurtër “Histori e vërtetë”, film që i përket epokës së viteve 50.

“Unë e dua shumë karavaxhon, e dua këtë lloj pikture. Mund të jetë tepër e stilizuar, por kur bëhet fjalë për një film të një epoke të caktuar, rastin konkret vitet 50 është diçka e pranueshme”, shprehet regjisori Viron Roboci.

Top Channel