Erdogan: Turqia bën edhe pa BE-në

12/07/2017 00:00

Turqia sfidon BE-në duke i treguar se, anëtarësimin nuk e kërkon me çdo kusht. Madje, sipas presidentit Recep Tayyip Erdogan, Ankaraja do të ishte më rehat nëse BE-ja deklaron se nuk do ta pranojë në radhët e saj.

“Turqia është mëse e aftë të qëndrojë mbi këmbët e veta”, ishte komenti i tij për BBC-në.

Gjatë bisedës me Zeinab Badaëi, në emisionin “HARDtalk”, presidenti turk mohoi gjithashtu burgosjen e 150 gazetarëve, duke këmbëngulur se prapa hekurave në Turqi ka vetëm dy persona me “badge” (kartëvizita) gazetari.

Pretendimet e tij vijnë në kohën kur Ankaraja e zgjati burgimin e drejtoreshës lokale të “Amnesty International” dhe 9 personave të tjerë. Idil Eser u ndalua më 5 korrik, së bashku me 7 aktivistë të të drejtave të njeriut dhe dy trajnues të huaj, nën akuzën e pjesëmarrjes në një “organizatë të armatosur terroriste”.

“Amnesty” nuk e ka të qartë se për çfarë grupimi pretendojnë autoritetet turke se bëhet fjalë.

Kambanat e alarmit ranë pas këtyre arrestimeve në komunitetin ndërkombëtar, duke shtuar frikën se liria e fjalës po shtypet në Turqinë e presidentit Erdogan. Ky shqetësim ka ndikuar edhe mbi përpjekjet e vendit për t’u bërë pjesë e BE-së, të cilën kreu i shtetit turk e akuzon se po i humbet kohën kot vendit të tij.

“Ne i jemi besnikë botës sonë, – i tha ai BBC-së. – Nëse Brukseli papritur thotë ‘Nuk iu pranojmë dot’, do të jetë lehtësim për në, sepse atëherë do të nisim planin tonë B, apo edhe C”.

“Bashkimi Europian nuk është domosdoshmëri për Turqinë, – vazhdon Erdogan. – Shumica e popullit turk nuk e dëshiron më këtë anëtarësim. Ne jemi shumë të qetë”, vazhdon ai.

Top Channel