3 mijë persona denoncojnë tek Rama

12/07/2017 00:00

Në harkun kohor të 4 ditëve, nga momenti kur përmes faqes zyrtare në Facebook, Kryeministri Rama kërkonte nga qytetarët eksperiencat negative që ata kanë pasur me administratën publike, janë bërë 3 mijë komente, nga të cilat 310 nuk i përkisnin administratës, por sistemit të drejtësisë, 702 ishin perceptime, 343 sugjerime dhe 713 eksperienca.

Nga eksperiencat negative veçohen ato komente që sillnin një rast konkret përballjeje negative me administratën qendrore e vendore.

Konkretisht eksperiencat negative ishin në 111 raste në bashki, ku vendin e parë e zë shërbimi i dobët në sportelet e gjendjes civile, i ndjekur nga lejet abuzime për ndërtime dhe zvarritja e dosjeve për një leje ndërtimi.

Në vend të dytë renditen hipotekat në shkallë vendi, me plot 98 eksperienca negative të referuara më së shumti për korrupsion, padrejtësi, abuzim me pronat, lëshimin e vërtetimeve dhe zvarritje në dyert e Zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajshtshme.

Krejt ndryshe nga perceptimi, se shëndetësia ka më shumë probleme, ajo renditet në vendin e tretë të eksperiencave negative me 78 raste, kryesisht të korrupsionit të mjekëve, mungesës së medikamenteve, apo keqtrajtimi në dyert e spitaleve e qendrave shëndetësore.

Me eksperienca negative kanë qenë edhe arsimi, ALUIZNI dhe policia. Për arsimin plot 58 raste janë referuar në faqen e Facebook të Kryeministrit Rama si eksperienca negative, si të lidhur me pushime të padrejta nga puna, transferime abuzime, apo punësime pa meritë.

Për ALUIZNI-n ka pasur 54 ankesa që denoncojmë vonesa të qëllimshme, bashkëpunim të punonjësve të ALUIZNI-t me ata të Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për tjetërsim pronash dhe trajtimi i aplikuesve në varësi të pagesës.

Edhe Policia ka zënë vend në denoncimin e eksperiencave negative, në plot 48 raste dhe kryesisht për gjobitje të padrejtë, mosreagim në kohë dhe komunikim aspak etik. Kempi dhe operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike kanë pasur më pak denoncime, që lidhen kryesisht me korrupsion.

181 rastet e tjera ndahen mes Autoritetit kombëtar të ushqimit, Doganave, Drejtorive të bujqësisë, Tatimeve, Postës, Burgjeve, Drejtorive të Transporteve dhe grupimit të akuzave për padrejtësi në punësim apo pushim nga puna.

Në të gjitha komentet e referuara në postim u numëruan 100 emra/poste konkrete zyrtarësh të përmendur si përgjegjës për ushtrimin e këtyre praktikave negative nga të cilat 70 i përkasin qeverisjes vendore e qendrore, ndërsa 30 sistemit të drejtësisë.

Madje, në raportin përfundimtar të eksperiencave negative Kryeministri Rama ka publikuar edhe emrat, që u përkasin zyrave të administratës, por edhe drejtorëve të ALUIZNI, drejtorive të arsimit, por edhe prokurorë të ndryshëm, zyra përmbarimore.

Top Channel