
Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi kryesinë pas zgjedhjes së kryetares Monika Kryemadhi një javë më parë. Në mbledhje u vu theksi në domosdoshmërinë e krijimit të një fronti opozitar në kushtet e reja që ndodhet vendi sot.
“E vëmë theksin tek domosdoshmëria e krijimit të një fronti kombëtar opozitar përballë një pushteti që me nisjen e procesit zgjedhor, e madje më parë, dhe gjatë gjithë procesit, dhe ditës së zgjedhjeve dëshmoi jo thjesht papërgjegjshmëri, por dëshmoi atë që LSI e ka denoncuar me kohë, që ishin një proces të kriminalizuar. LSI do vazhdojë të jetë në anë të qytetarëve në mbrojtje të qytetarëve, të interesit të vendit për të qënë realisht zëdhënëse shprese dhe mbrojtëse të interesit të më shumë se 75% të qytetarëve të këtij vendi, pra të gjithë atyre që kanë votuar kundër Rilindjes, apo që me mospjesëmarrjen e tyre kanë shprehur pa dyshim abstenimin ndaj mënyrës se si u zhvilluan zgjedhjet”, tha Luan Rama në përfundim të mbledhjes.
Më herët, znj. Kryemadhi e quajti maxhorancën e re të dalë pas 25 qershorit si një maxhorancë fiktive përmes një procesi të manipuluar.
“LSI do të vazhdojë të njohë arritje të reja politike dhe elektorale si domosdoshmëri që demokracia në Shqipëri të fuqizohet dhe qytetatërt të vendosin sovranitetin, qeverisjen dhe institucionet nga zgjedhjet e 25 qershorit. Maxhoranca e zgjedhjeve të 25 qershorit është fiktive përmes procesit të manilpuluar. Vota e lirë është goditur rëndë në mënyrë të strukturuar kriminale në të gjithë vendin, ndaj kërkoj angazhimin maksimal për t’iu përgjigjur këtij momenti dhe përgjegjësisë politike më të madhe që LSI ka pasur ndonjëherë”, tha znj. Kryemadhi.
Ajo tha më tej se LSI do të vazhdojë me evidentimin e farsës së 25 qershorit, detyrë që do të mbetet prioritet pasi “opinioni minutë pas minute po njihet me fakte të reja të grabitjes së 25 qershorit”. Kryesia e LSI haroti axhendën dhe planin e punës deri në periudhën e legjislacionit të ri parlamentar. Ndërkohë u vendos dhe Petrit Vasili si kreu i grupit parlamentar të LSI-së.
Top Channel