Peleshi, në fshatrat e Korçës: Koalicion me njerëzit

10/07/2017 00:00

Turin dëgjimor me qytetarët, Niko Peleshi e vijoi në njësinë administrative të Bulgarecit, ku u premtoi banorëve se, këtë mandat të dytë PS-ja do të jetë në koalicion me njerëzit e zakonshëm.

Ai u kërkoi atyre që të vendosin vet për prioritetet e investimeve të 4 viteve të ardhshme, ndërsa i siguroi banorët se do të zbatohen projektet që janë më emergjente dhe u shërbejnë komunitetit.

“Nuk jemi këtu për të bërë një kuku pas fushate, por për të filluar një punë të re, një punë të një koalicioni të ri me qytetarët. Ky koalicion nuk është çështje numrash në Parlament, por çështje pune në dobi të komunitetit. Duke qenë se në të kaluarën kanë munguar këto lloj takimesh të deputetëve, edhe punët e qeverisë shpesh kanë qenë të shkëputura nga nevojat e komunitetit. Nuk do t’i bëjmë dot të gjitha, por e rëndësishme është që ato që do të bëjmë, të jenë ato që zgjidhni ju. Deputetëve turistë, që vinin një herë në 4 vite për të marrë vota, u erdhi fundi”, tha Niko Peleshi, deputet i PS-së.

Gjatë takimit me deputetin socialist, qytetarët kërkuan zgjidhje emergjente për përmirësimin e vaditjes së tokave bujqësore, kanalizimet e ujërave të përdorura dhe ujit të pijshëm.

Top Channel