Gara në PD, Basha e Selami ndalen në Dibër

10/07/2017 00:00

Me demokratët në Qarkun e Dibrës, Eduard Selami e përkufizoi Partinë Demokratike si më pak demokratike, e një shembull që ai solli ishte mënyra e bërjes së listës pa konsultuar asnjë strukturë.

“Shikoni listën! Ka mjaft njerëz të nderuar që do të kishin fituar edhe vet, nëqoftëse do të kishim një konkurrim të barabartë. Por është listë jashtë konkurrimit, jo legjitime. Është kompetencë e Këshillit Kombëtar, jo e kryetarit. Pikë! Duhet ta fillonte nga ju, t’i bënit ju rekomandimet”, tha kandidati për kreun e PD-së, Selami.

Eduard Selami preku edhe një pikë delikate të së ardhmes së Partisë Demokratike, e ngritur si tezë pas marrëveshjes “Rama-Basha”.

“Pjesa dërrmuese e elektoratit nuk do që të qeverisë me PS-në. Unë praktikisht jam kundër kësaj marrëveshjeje. Nëse vendos struktura të bëjmë koalicion, unë jam nga ata që jam kundër. Do të dorëzoj mandatin, edhe pse do jem në PD”, tha Selami.

Luzim Basha nuk ka folur për këtë pikë, por ai akuzon Ramën për blerjen e mandatit të dytë qeverisës.

“Mazhoranca e dalë nga këto zgjedhje është një mazhorancë fiktive, sepse nuk reflekton vullnetin e qytetarëve, por reflekton shtrembërimin e këtij vullneti përmes shitblerjes së votës, që tashmë është provuar katërcipërisht si varrmihësja e demokracisë sonë të brishtë”, tha Basha.

Deri tani, Basha nuk ka folur se cilat ishin gabimet e tij, por në takimet me demokratë të Dibrës dhe të Tiranës u duk i gatshëm për reflektim.

“Kush di t’i njohë e t’i pranojë gabimet, ka edhe vullnetin t’i korrigjojë ato. Dhe unë e kam këtë vullnet, ta bëj bashkë me ju, bashkë me të gjithë demokratët e ndershëm që janë gati të luftojnë për ndryshim, jo për kolltuqe. Dhe ajo që vij të kërkoj sot është të vazhdojmë betejën. Nuk vij t’iu ofroj as privilegje, as pekule, as favore. Vij t’u kërkoj të vazhdojmë betejën”, tha kryetari i PD-së në rikandidim, Basha.

Për këtë, Basha thotë se e vetmja rruga është bashkimi.

Top Channel