Diamond League, në Londër. Mes fituesve, edhe Farah

10/07/2017 00:00

Ndalesa e radhës së “Diamond League” në atletikë ishte në Londër, e fituesit e kësaj ngjarjeje rezultuan Mo Farah, Elaine Thomson dhe Allyson Felix.

Britaniku Farah e pati shumë të lehtë fitoren në garën e 3.000 metrave për meshkuj, me 7 minuta, 35 sekonda dhe 15 të qindtat, duke përmirësuar kohën e tij personale në këtë disipline. Në vendin e dytë u rendit spanjolli Mechaal, ndërsa i treti doli britaniku Butchart.

Në garën e 100 metrave, kampionia olimpike Elaine Thomson tregoi se është ajo sprinterja për t’u mundur në këtë disiplinë. Në kryeqytetin londinez, atletja xhamajkane triumfoi me kohën 10.94 sekonda, duke lënë në vendin e dytë Dafne Schippers, e në të tretin nigerianen Okagbare.

Në 400 metra për femra, Allyson Felix nuk zhgënjeu duke e fituar këtë disiplinë me 49.65 sekonda, duke regjistruar kohën më të shpejtë të këtij viti përsa i përket “Diamond League”. Në 200 metra për meshkuj triumfoi Webb, me 20.13 sekonda, duke lënë pas Fred Kerley.

Në 110 metra me pengesa për meshkuj triumfoi amerikani Aries Merrit, me 13.09 sekonda, ndërsa në 100 metra me pengesa për femra, suksesi ishte i Kendra Harrison me 12.39 sekonda.

Top Channel