Anëtarët e PD në Korçë, peticion kundër garës: Anulojeni

10/07/2017 00:00

Plot 130 anëtarë të degës së Partisë Demokratike të Korçës, me rreth 2.500 anëtarë, kërkuan anulimin e procedurës për zgjedhjen e kryetarit të PD-së.

Në një peticion publik të firmosur prej tyre thuhet se, farsa e nisur nga zoti Basha duhet të deklarohet absolutisht e pavlefshme, përfshirë aktet e nxjerra nga kryetari dhe nënkryetarët, që cilësohen si akte antistatutore.

Peticioni e bën fajtor Lulzim Bashën për atë që e quan disfata më e rëndë në historinë e Partisë Demokratike. Në të thuhet se, “shqiptarët nuk i falën PD-së inkoherencën në qëndrime dhe tradhtinë e kauzës opozitare pas marrëveshjes së paqartë dhe okulte me Edi Ramën”.

130 firmëtarët e peticionit nga dega e Korçës thonë se, zgjedhjet e kanë çuar opozitën në prag të asgjësimit, prandaj kërkojnë një garë të barabartë.

Përndryshe, ata paralajmërojnë se zgjedhjet farse, të imponuara dhe konfliktuale mund të çojnë, më e pakta në garë dhe opozitë formale, e më e shumta në një ndarje të re politike e pasoja afatgjata për opozitën.

Top Channel