
Për herë të parë pas përfundimit të procesit të numërimit të votave në Tiranë, e pas debateve të shumta lidhur me mandatin e tij, Shpëtim Idrizi ka dalë publikisht përpara medieve, duke siguruar se mandati është i PDIU-së dhe se ka prova të pakontestueshme që e vërtetojnë këtë.
“Jam këtu për t’iu siguruar që mandati i Tiranës është i PDIU-së dhe ne kemi të gjitha provat e patjetërsueshme për këtë. Ne kemi konstatuar se, deri më tani mungojnë në pamjet filmike rreth 100 QV dhe në rreth 50 qendra të tjera, pamjet janë të padallueshme në kundërshtim me ligjin. Deri më sot, kur ne kemi këqyrur 65 për qind të filmimeve, na rezulton se në shumë tavolina numërimi ku PDIU nuk ka pasur numërues del qartë se votat e PDIU-së të ndodhura në kuti nuk pasqyrohen në procesverbalet e numërimit, e rrjedhimisht edhe në tabelën e rezultatit. Ky numër i votave të devijuara e kalon disa herë numrin 37 të votave të nevojshme për të kaluar pragun prej 3 përqindësh”, tha Idrizi.
Kreu i PDIU-së theksoi se të gjitha provat e grumbulluara do t’i vihen në dispozicion Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili do të mblidhet këtë të hënë për të vendosur lidhur me fatin e mandatit të 34-t të Tiranës.
Top Channel