United parregullsi në kontrollet antidoping, UEFA merr masa

08/07/2017 00:00

UEFA ndëshkon Manchester United. Klubi i Djajve të Kuq u gjobit nga qeveria e futbollit evropian pasi kreu parregullsi në kontrollet antidoping në finalen e Europa League ndaj Ajaxit, të cilën skuadra e Mourinhos e fitoi me rezultatin 2-0.

UEFA e gjobiti Manchester United me 10 mijë Euro gjobë, ndërkohë që u ndëshkuan edhe 2 futbollistë. Bëhet fjalë për Phil Jones dhe Daley Blind të cilët u gjobitën me 5 mijë Euro gjovë secili.

Për Phil Jones ka edhe një dënim tjetër me 2 ndeshje pezullim që do të thotë se ai nuk do të jetë i pranishëm në Superkupën e Evropës që Manchester United do ta luajë ndaj Realit të Madridit, si dhe në ndeshjen e parë të fazës së grupeve në Ligën e Kampioneve

Phil Jones e mori këtë dënim pasi rezultoi se kishte përdorur fjalë fyese ndaj atyre që kryen kontrollin antidoping. ndërsa Blind u dënua vetëm me gjobë pasi në përfundim të ndeshjes nuk i kreu kontrollet antidoping ashtu si pjesa tjetër e skuadrës.

Problemet për Mourinhon për sfidën e 8 gushtit me Realin e Madridit nuk mbyllen këtu. Jose Mourinho nuk do të ketë në dispozicion as Eric Bailly pasi është i dënuar me 3 ndeshje pezullim pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen gjysmëfinale të Europa League me Celta Vigon.

Top Channel