
Policia e Lezhës ka bërë publik planin e masave për sezonin veror, veçanërisht në drejtim të shmangies së trafikut të rënduar, parandalimit të aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë, por edhe për garantimin e rendit publik.
Përveç shtimit të prezencës dhe patrullimeve të punonjësve të policisë në zonën bregdetare dhe akseve rrugore që lidhin ato, policia e Lezhës ka vendosur kufizime në fundjavë, nga ora 9 deri në 14 ditën e shtunë dhe nga ora 12 deri në mesnatë ditën e djele të mjeteve të renda të transportit.
Masa përfshin ato mjete mbi 12 metra të gjata, me peshë 7.500 kilogramë dhe të larta, mjetet bujqësore që kanë shpejtësi më të vogël se 40 km/h si dhe mjetet mësimore.
Policia ka bërë publike edhe akset ku do të kufizohet lëvizja e këtyre mjeteve deri më datë 30 shtator. Gjithashtu, policia apelon që ne rast të rëndimit të trafikut të përdoren edhe akset dytësore në zonë.
Nga ana tjetër, drejtuesit e uniformave blu i kanë bërë thirrje efektivëve që do të jenë të angazhuar me shërbim në zonat bregdetare dhe akset që i lidhin ato që të tregojnë kulturë etike në komunikim dhe profesionalizëm në respekt të ligjit.
Ndërkohë janë planifikuar edhe shërbime të përbashkëta me policinë e Kosovës përgjatë gjithë sezonit veror.
Top Channel