Bradley Lowery humb betejën me kancerin

08/07/2017 00:00

Dhimbje pa fund në botën e futbollit për Bradley Lowery, 6-vjeçarin anglez që humbi jetën pas një beteje të gjatë me kancerin. I njohur si “maskota” e Sunderland-it dhe e kombëtares angleze, Bradley u nda nga jeta mesditën e së premtes, pasi nuk mundi ta mposhte “neuroblastoma”, një lloj i rrallë kanceri që prek indet nervore.

Historia e tij kishte mobilizuar skuadra dhe futbollistë të kategorive të ndryshme për të mbledhur fonde për kurimin e kësaj sëmundjeje të rëndë.

Për 6 vite, tifoz i zjarrtë i Sunderland-it, kishte gjetur të Jermain Defoe mikun e tij të zemrës. Sulmuesi anglez, aktualisht pjesë e Bournemouth, i dhuroi momente të shumta gëzimi Bradley-t të vogël, duke ecur përkrah njëri-tjetrit kur skuadrat hynin në fushë, por edhe duke i qëndruar pranë gjatë kohës kur trajtohej me kimioterapi në spital.

Defoe shpërtheu në lot gjatë një konference për shtyp të enjtes, kur u njoftua nga gazetarët se Bradley ishte në momentet e fundit të jetës.

E gjithë bota e futbollit u njoh me luftën e vogëlushit Bradley, kur më 27 mars të këtij viti shoqëroi Jermain Defoe para sfidës Angli-Lituani.

E ndërsa të gjithë fëmijët dëgjonin “God Save the Queen”, Bradley u kthye duke përqafuar gjatë gjithë kohës idhullin e tij.

Top Channel