Hysaj: Mirëpresim afrimet e reja

06/07/2017 00:00

Napoli ka filluar prej dy ditësh fazën përgatitore për sezonin e ardhshëm, në Dimaro dhe ekipi vazhdon të stërvitet, me dy seanca në ditë.

“Ka shumë entuziazëm dhe shumë përqëndrim. Jemi duke dhënë maksimumin të gjithë, sepse kemi dëshirë të rifillojmë fuqishëm kampionatin”, u shpreh Elseid Hysaj për radion napolitani “Kiss Kiss Radio”.

Mbrojtësi shkodran, prej dy sezonesh është një nga pikat më të forta të napolitanëve dhe kjo vërehet edhe me aktivizimet e tij thuajse në çdo ndeshje.

Hysaj vlerëson afrimet e reja në ekip dhe shpalos objektivat e ekipit për sezonin e ardhshëm.

“Ounas është një futbollist mjaft i mirë dhe do të përmirësohet akoma më shumë me ne. Mario Rui, gjithashtu do të na japë një dorë në realizimin e objektivave tona. Edhe këtë vit ne duam të rifillojmë me të njëjtin ritëm dhe me synimin për të arritur sa më lart të mundemi”, tha mbrojtësi i kombëtares shqiptare. 

Top Channel