Ferrari mban derën e hapur për Alonson

06/07/2017 00:00

Fernando Alonso deklaroi në Baku se vitin që vjen do të jetë në gjendje të fitojë dhe shtoi se në merkaton e pilotëve të Formula 1 do të ketë surpriza.

Spanjolli, dy herë fitues i titullit botëror në F1, u shpreh i sigurtë për shanset që ka për vitin e ardhshëm që të pilotojë një makinë fituese, por shefat e skuadrave që janë në gjendje të fitojnë një garë (Mercedes dhe Red Bull) aktualisht e kanë përjashtuar mundësinë e blerjes së Alonsos në ditët në vazhdim.

Vetëm një ekip nuk e ka bërë këtë gjë dhe bëhet fjalë për Ferrarin. Skuderia italiane nuk ka thënë asnjë fjalë për pilotët që do të ketë vitin e ardhshëm dhe në mediat spanjolle flitet për një rikthim të bujshëm të Alonsos te “Kokëkuqja”.

Kimi Raikkonen me shumë mundësi do të lërë një vend të lirë dhe nëse Ferrari nuk u jep një shans të rinjve si Giovinazzi apo Leclerc ose nuk arrijnë të blejnë pilotë si Ricciardo apo Verstappen, Fernando Alonso do të ishte alternativa e vetme.

Top Channel