Pepe transferohet te Besiktas

05/07/2017 00:00

Pas 10 sezoneve të përjetuara me Realin e Madridit, Pepe u largua për t’u transferuar tek Besiktas dhe kjo lëvizje ndodhi kur të gjitha mediat flisnin me siguri për kalimin e tij te Paris Saint Germain.

Kampionët e Turqisë e kanë zyrtarizuar blerjen e qendërmbrojtësit të përfaqësueses portugeze, i cili firmosi një kontratë 2-vjeçare me opsion për një të tretë. Mësohet se Pepe do të përfitojë nga klubi një pagë prej 15 milionë eurosh në këto dy sezone, që do të thotë se ai do të paguhet 7.5 milionë euro në sezon, shifër së cilës i shtohen bonuse të tjera.

Pepe u bë pjesë e Realit të Madridit në vitin 2007, kur klubi “merengues” e mori nga Porto për 30 milionë euro. Gjatë kësaj dekade me “Los Blancos”, portugezi ka fituar 3 tituj kampionë të Spanjës, 2 Kupa Mbreti dhe 3 Liga Kampionesh.

Përsa i përket karrierës së tij me Portugalinë, Pepe ka luajtuar 86 ndeshje me përfaqësuesen luzitane, me të cilën në 2016 fitoi titullin evropian kur mundi Francën në finale, duke u shpallur edhe “Njeriu i ndeshjes”. Pepe ishte vendimtar edhe në ndeshjen me Meksikën për vendin e tretë në Kupën e Konfederatave, teksa shënoi golin e barazimit 1-1, duke e çuar ndeshjen në kohë shtesë, që i dha mundësi skuadrës së tij të fitojë me rezultati  2-1, duke marrë edhe medaljen e bronztë në Botërorin e vogël.

Top Channel