PD, ngrihet komisioni i posaçëm për menaxhimin e zgjedhjeve

04/07/2017 00:00

Partia Demokratike ka miratuar procedurat e votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të saj, si dhe rregulloren që do të ndiqet nga strukturat dhe kandidatët deri ditën e zgjedhjeve.

Në një deklaratë për mediat, Jemin Gjana ka bërë me dije ngritjen e një komisioni të posaçëm që do të menaxhojë veprimtarinë parazgjedhore.

Në krye të këtij komisioni do të jetë vetë Gjana, ndërsa do të bëjnë pjesë Tritan Shehu, Enkelejd Alibeaj, Dhurata Çupi dhe Bardh Spahia.

Gjithashtu anëtarë janë dy punonjës të sektorit të organizimit në PD, Minushe Lazaj dhe Albert Avdyli; si dhe 2 anëtarë që përfaqësojnë dy kandidatët, përkatësisht Arben Ibro i propozuar nga Lulzim Basha dhe Riza Xhura i propozuar nga Eduard Selami.

“Komisioni është mbledhur sot dhe ka miratuar udhëzimin e parë që përcakton procedurat e fillimit të procesit. Do ketë nevojë në vazhdim që ne të mblidhemi për përcaktimin e procedurave që kanë të bëjnë me ditën e votimit dhe procedurat e votimit”, ka thënë Gjana.

Gjana ka nënvizuar se, Komisioni ka vendosur kryesitë e degëve të PD në qarqe, që do të ndjekin procesin e votimit në rrethe, që do të mbahet më 22 korrik.

“Çdo degë do të ketë një qendër votimit. Ambjentet ku kryhet votimi miratohen nga degët. Në selinë qendrore të PD do të jetë qendra e votimit të një prej degëve të Tiranës ku do të votojnë veç anëtarëve dhe anëtarët e Kryesisë së PD, Këshillit Kombëtar, deputetët e grupit parlamentar ekzistues dhe ata të sapodalë nga zgjedhjet e fundit parlamentare”, ka vijuar Gjana.

Sipas tij, në çdo qendër votimi do të ngrihet një komision që do të ketë një kryetar dhe në përbërje dy anëtarë të kryesisë së PD dhe përfaqësuesin e kandidatëve për kryetar.

“Fletën e votimit e miraton Komisioni, listën do ta miratojë Komisioni qendror elektoral i Partisë Demokratike jo më vonë se 5 ditë para ditës së zgjedhjeve. Kandidatët duhet të paraqiten brenda datës 12 korrik”, ka shtuar Gjana.

Top Channel