Kështu kurorëzohet një bashkëbisedim i ri që ka filluar mes Fakultetit të Arteve të Bukura në Universitetin e Tiranës dhe Akademisë së Athinës. Nëpërmjet kësaj ekspozite Tiranë-Athinë, të një grupi studentësh nga vite të ndryshme akademike.

“Ideja ishte e profesor Pjerin Kornikaj, që është shefi i Departamentit të Skulpturës, i cili gjeti mbështetjen e Ambasadës greke, për të pasur mundësinë që një grup i përzgjedhur studentësh, kryesisht nga Departamenti i Skulpturës patën mundësinë të vizitonin Akademinë e Athinës dhe disa prej muzeve të rëndësishëm të artit që ndodhen në Athinë”, thotë Ermir Hoxha, kurator i ekspozitës.

Studentët kanë dashur të kërkojnë thelbin e tyre, duke pasur edhe një ndikim të madh nga imazhet e atjeshme. Skulptura kokash, një lepur, apo buf, një lule etj. Këto të vendosura në një kontekst hapësire që e plotëson veprën e artit.

“Shpesh janë kërkime që bëhen nga bota ekzistenciale, nga bota filozofike. Mund të jenë nga bota e natyrës. Nga bota e kafshëve, bota bimore. Janë si dialogë konceptuale, të cilat ngrihen mbi sfonde të ndryshme”, shprehet kuratori Ermir Hoxha, kurator i ekspozitës.

Dhe ky dialog pasurohet edhe më kur vendi që ata vizituan i ka dhënë botës art që në antikitet.

“Për studentët ishte një mundësi shumë e mirë për të njohur nga vendi i origjinës një nga bastionet më të rëndësishme të artit të skulpturës botërore, sidomos i asaj perëndimore dhe bashkërisht me gjithë muzetë e artit helen dhe ato të Akademisë së Arteve ato patën mundësi të shikonin edhe Dokumentin”, thotë Ermir Hoxha.

Ekspozita qëndron e hapur për publikun në Galerinë FAB.

Top Channel