Superiorja nis më 9 shtator. S’ka derbi kryeqytetas në Kat. e Parë

03/07/2017 00:00

Federata Shqiptare e Futbollit ka përcaktuar 9 shtatorin, si datën e fillimit të sezonit të ri futbollistik 2017-2018.

Komiteti Ekzekutiv i këtij institucioni zhvilloi mbledhjen e radhës, ku përveç datës për sezonin e ri, mori edhe një sërë vendimesh të tjera, siç ishte ai për pezullimin e lojtarëve për shkak të grumbullimit të kartonëve të verdhë.

Vendimi i ri parashikon që një lojtar të humbasë një ndeshje, pasi të ketë grumbulluar 4 kartonë të verdhë, ndërkohë që më parë ky limit ka qenë 3.

Komiteti Ekzekutiv vendosi që të mos e ndryshojë numrin e futbollistëve të huaj në fushën e lojës, duke e lënë atë në 4.

Në të njëjtën kohë u përcaktuan edhe dy grupet e Kategorisë së Parë. Bie në sy Tirana në Grupin B, së bashku me skuadra si Apolonia, Bylis apo Shkumbini. Ndërsa në Grupin A, ndër të tjera janë edhe Korabi, Dinamo, Besëlidhja apo Kastrioti.

Top Channel