Është shuar në moshën 84-vjeçare humoristi i famshëm italian Paolo Villaggio, njeriu që u bë pjesë e kulturës popullore me personazhe vibruese si llogaritari Ugo Fantozzi.

Me Villaggion, shkruan “La Repubblica”, largohet një prej të paktëve aktorë të vërtetë komikë italianë.

I lindur në Gjenovë, 30 dhjetorin e vitit 1932, Villaggio do të përdorte ironinë therëse për të nxjerrë në pah të gjitha veset e shoqërise italiane. Njëkohësisht shkrimtar, skenarist e dublant, ai ka interpretuar në kinema e në televizion personazhe nga më paradoksalet e grotesket, por më i suksesshmi mbetet Fantozzi, i kthyer në emblemën e italianit mediokër.

Për herë të parë, në ekranin e madh llogaritari fatkeq do të shfaqej në vitin 1975, për t’u përfshirë pastaj në vitin 2008 në listën e 100 filmave italianë që duhen shpëtuar si krijime që kanë ndryshuar memorien kolektive të vendit në periudhën e viteve 1942-1978.  

Gjatë karrierës së tij, Villaggio e ka prekur edhe rolin dramatik me pjesëmarrjen në disa filma të regjizorëve të medhenj si Federico Fellini dhe Ermanno Olmi. Në vitin 1992 u nderua në Festivalin e Venecias me “Luanin e Artë”, një çmim që iu dha pikërisht për arritjet në karrierë. Marsin e këtij viti, e bija kishte shkruar në Facebook se i ati nuk ndihej mirë dhe se kinemaja italiane e kishte braktisur.

FOTO GALERI
2/10

Top Channel