Reduktohen armët bërthamore, prioritet modernizimi i tyre

03/07/2017 00:00

Bota sot ka më pak armë atomike, sipas institutit “SIPRI”, por fuqitë bërthamore synojnë modernizimin e arsenalit aktual dhe asnjë prej tyre nuk ka ndërmend t’i dorëzojë, të pakten në një të ardhme të afërt.

Konkluzioni i raportit të Institutit të Stokholmit për Studimet e Paqes është se, në fillim të vitit 2017, 9 shtete të globit kanë pasur në zotërim 14.935 koka bërthamore, një rënie e dukshme krahasuar me vitin që shkoi, kur kjo shifër ishte 15.395.

Reduktimi ka ardhur falë përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, që zotërojnë 93% të arsenalit bërthamor botëror, për eliminimin e armëve të rrezikshme. Por, së bashku me fuqitë e tjera atomike, Britaninë e Madhe, Francën, Kinën, Indinë, Pakistanin, Izraelin dhe Korenë e Veriut, ato kanë zhvilluar sisteme të reja mbajtëse apo stacionimi, ose e kanë paralajmëruar një gjë të tillë.

“Përparimet e bëra në negociatat ndërkombëtare për ndalimin e armëve atomike nuk i kanë frenuar programet e modernizimit”, thonë studiues të “SIPRI”-t. Ata vërejnë se, Amerika në mënyrë të veçantë, duket e gatshme që nga viti 2017 e deri në vitin 2024, të shpenzojë 400 miliardë dollarë për të modernizuar armët bërthamore.

Sa për Penianin, instituti mendon se ai nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të zhvilluar koka bërthamore kompakte, që të arrijnë të godasin edhe territorin amerikan. Por ekspertët janë të mendimit se Koreja e Veriut do të mund të ishte në gjendje të zhvillonte “minikoka bërthamore”, që të mund të transportonin raketa me rreze të shkurtër e të gjatë veprimi.

Top Channel