Mbledhja e kryesisë së PD/ Basha-Selami në garë, jashtë Patozi

03/07/2017 00:00

Partia Demokratike nuk ia doli të ketë një qëndrim të unifikuar për procesin e zgjedhjes së kryetarit të saj. Madje në mbledhjen e kryesisë, nuk kishte dakordësi as për emrat.

Me disa vota kundër, nga 8 kandidatë që dorëzuan kërkesën, mbetën në garë Lulzim Basha dhe Eduard Selami. Astrit Patozi nuk do të jetë pjesë e kësaj gare, sepse, siç u tha edhe zyrtarisht, kushtet për kandidimin e tij nuk u përmbushën.

“Rasti i zotit Patozi ishte i qartë, u diskutua edhe në kryesi, u bë i qartë edhe në kryesi. Pati një deklaratë të zotit Patoz, ku shprehu dëshirën e tij për të kandiduar, por me një sërë kushtesh. Po sot, zoti Patozi deklaroi se kushtet e tij nuk u plotësuan dhe për këtë arsye, dha mendimin e tij për garën, ashtu si e sheh ai. Zoti Patozi nuk kandidoi, nuk iu plotësuan kushtet që ai paraqiti dhe nuk kandidoi”, u shpreh Edi Paloka. 

Deri në thirrjen e kryesisë, me Patozin u negociua për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, marrjen e listave dhe largimin e Bashës nga zyra e kryetarit. Në mbledhjen e kryesisë, u kërkua edhe analizë për humbjen, një kërkesë që mori 11 vota nga 45 anëtarë të kryesisë.

“Sot është një ditë e vajtueshme për Partinë Demokratike. PD-ja gjendet në një situatë të vajtueshme, por e nesërmja, nëse do të vazhdojmë kështu, do të jetë fatkeqësisht akoma më e vajtueshme. Sot Partia Demokratike po vazhdon lojën luftash, si dikur. Një lojë e cila po i përçan demokratët dhe nuk po i bashkon, sepse në vend që të mendojmë, në vend që të flasim dhe në vend që të bëjmë analizën, po rendim gati për të vënë gjoba. Njëri kundër disave, disa kundër disave dhe në fund fare, ata që humbasin janë demokratët dhe sigurisht që përçahet Partia Demokratike” , tha Majlinda Bregu.

Megjithatë, Edi Paloka mendon ndryshe.
“Gjithë përpjekja, jo vetëm e imja, por e të gjithë atyre që e duan partinë Demokratike, bashkohet në të njëjtën pikë. Ne duam ringritje të Partisë Demokratike dhe ringritje me të gjithë bashkë. Nuk e kemi luksin as të përçahemi dhe as të na ikë as edhe njëri prej nesh”, u shpreh ai. 

Paloka nuk pranoi se procesi është një farsë, siç e akuzojnë kundërshtarët e Bashës. Megjithatë, në shenjë proteste për mospranim të kushteve për garë të ndershme, Arben Imami e ka braktisur mbledhjen e kryesisë përpara përfundimit të saj.

Ndërsa Jamarbër Malltezi ishte pro atyre që kërkuan më shumë kohë për kandidatët, sepse siç tha, ‘përballja Basha-Selami e ka të paracaktuar rezultatin.

Vetë Lulzim Basha nuk ka qenë në mbledhjen e kryesisë së partisë Demokratike dhe deri tani mungon një qëndrim i tij për akuzat e kundërshtarëve, se nëpërmjet një farse zgjedhore, po e çon partinë drejt përçarjes.

Top Channel