Kori i vajzave duartrokitet për tri ditë në Berlin

03/07/2017 00:00

Zërat e tyre janë shkrirë në mesin e të tjerave liceiste gjermanë aq sa vështirë të dallosh se cila është shqiptare e cila jo. 40 vajza nga Liceu Artistik “Jordan Misja” kanë mahnitur publikun gjerman të Berlinit, në çdo katedrale, shesh apo skenë, ku ato intepretuan për 3 ditë, në një projekt të mbështetur nga Bashkia e Tiranës.

“Ka qënë një surprizë për publikun gjerman, bashkë me kuriozitetin që vinin nga Shqipëria, për më shumë një grup vajzash. Mund të them që ishte ansambli më i madh që ka shkuar ndonjëherë nga Shqipëria, një ëndërr për të gjithë artistët shqiptarë. Surpriza tregoi edhe nivelin tonë të lartë të korit, një nivel europian, njësoj si vajzat e Berlinit. Vajzat e Korit të Liceut këndojnë njësoj si ato, të njëjtin repertor”, thotë Bujar Alliu, dirigjent.

Vajzat shqiptare janë cilësuar nga dirigjentët e Berlinit si kori që shqipton më mirë këngët në gjuhën e vështirë gjermane, ndërsa vëmendja e tyre është ndalur tek magjia e tingujve nga performancë e veçantë me ujë.

“Kompozitori i kësaj pjese është një kompozitor bashkëkohor që i ka dhënë imagjinatën e yjeve. Pjesa titullohet “Yjet” dhe tingëllimi që ato japin në fillim, kur fërkohen gotat, është fiks ajo imagjinata si ti i shikon yjet në mbrëmje. Ne e kemi mësuar vjet nga bashkëpunimi me një tjetër dirigjente. Repertori i sotëm, aktual në Europë i koreve do të jetë ky, le të themi që ia kemi arritur me vajzat tona shumë të talentuara dhe shumë pasionantë”, vijon Alliu

Top Channel