“Grushtimi” i CNN-it nga Trump ngjall zemërimin e medias

03/07/2017 00:00

Videoja e Trumpit kundër CNN-it ka ngjallur zemërimin e shumë medieve të tjera amerikane, të cilat e kanë perceptuar lëvizjen e tij, si një fushatë të hapur për dhunë kundër gazetarëve.

“E trishtueshme, – thotë edhe Komiteti i Reporterëve për Lirinë e shtypit, për videomontazhin ku shihet presidenti duke qëlluar me grusht logon e gjigantit mediatik, – por jo nën dinjitetin e këtij presidenti”.

Mesazhi në “Twitter”, sipas tij ka një kontekst të rrezikshëm. “Askush nuk duhet të kërcënohet me dhunë për shkak të punës që kryen”, vazhdon organizata amerikane, duke kujtuar se liria e shtypit është një nga piketat e demokracisë në SHBA.

Komiteti paralajmëroi që të mos vihen në shënjestër gazetarë të veçantë apo media të veçanta, sepse kjo “ushqen një ambient, në të cilin kuptohen si të pranueshme ngacmimet e tjera, e madje edhe sulmet fizike”.

Mosmarrëveshjet e Trumpit me shtypin janë të hershme, por kohët e fundit, sulmet e tij janë përshkallëzuar. Në shënjestrën e goditjes së këtyre ditëve ishin dy moderatorë të “MSNBC”, Mika Brzezinski dhe Joe Scarborough, si dhe “CNN”-i, të cilin e akuzon se prodhon “lajme për në plehra”.

Këtë e kishte theksuar edhe në fund të videos polemizuese, ku pasi përsëritej disa herë skena e rrahjes, shfaqej logoja “FNN” nga “Fraud News Network”, apo Rrjeti i Lajmeve të Mashtruesve, siç e quan ai televizionin e njohur amerikan.

Videoja origjinale nuk e përmbante logon e CNN-it dhe është xhiruar 10 vite më parë, në kohën kur Trumpi ishte mysafir i njohur i ndeshjeve të mundjes. Viktima e supozuar është miku i tij, Vince McMahon. Sulmi i simuluar u bë në kuadër të “luftës së miliarderëve”, në të cilën dy mundës luftuan në ring në vend të Trumpit dhe McMahonit.

Këshilltari i Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, Tom Bossert e mbrojti videon, me pretendimin se ajo tregon aftësinë e presidentit për të komunikuar me njerëzit. Trump, – sipas Bossert, – “rrihet” nga kanalet kabllore televizive dhe ka të drejtën që të reagojë ndaj sulmeve.

Top Channel