Largimi nga BE, Brexit “nis” nga peshkimi

02/07/2017 00:00

Qeveria britanike vendosi që ti japë fund marrëveshjes që lejon vende të tjera të peshkojnë në ujërat territoriale britanike.

Pakti në fjalë lejon anijet irlandeze, holandeze, franceze, gjermane dhe belge që të peshkojnë në zonat nga 6 deri në 12 milje detare nga bregdeti britanik.

Ministri i ambienti Michael Gove tha se vendimi i qeverisë do të ndihmojë në rimarrjen e kontrollit të ujërave britanike. Në krahun tjetër, Irlanda e cilësoi vendimin një gabim që nuk i vlen askujt.

Ndërsa nuk kanë reaguar ende vendet e tjera, mbase të ndërgjegjshme se Brexit padyshim që do të sillte një diskutim ët tillë, pavarësisht paktit të mëhershëm. Në të njëjtin kuadër, duket se u shpreh edhe Komisioni Europian, që tha se është në dijeni të situatës, por mendon se ligji europian prej kohësh ka zëvendësuar konventën britanike me disa shtete të veçanta për peshkimin.

Kjo e fundi shkon krahas marrëveshjes me BE, e cila lejon të gjithë anëtarët të peshkojnë në zonat nga 12 deri në 200 milje detare nga Britania.

Konventa e veçantë u firmos në vitin 1964, para se Britania të ishte pjesë e BE dhe dalja nga ajo do të thotë se as anijet britanike nuk mund të peshkojnë më në ujërat e këtyre vendeve. Ministri britanik Michael Gove tha se Britania pas Brexit do të bëhet një vend i pavarur bregdetar.

Analistët mendojnë se lëvizja e Londrës për t’i dhënë fund paktit të vogël të peshkimit bëhet si nxemje para se i njëjti diskutim të nisë me BE për të treguar vendosmërinë e Britanisë për të mos u trembur qëndrimi i ashpër i Unionit.

Top Channel