Të votosh është përgjegjësi dhe detyrim qytetar, por duket se vitetet e fundit është rritur numri i atyre që nuk marrin pjesë në zgjedhje.

Kryesisht ata janë të rinj, ndërsa votuesit besnikë mbeten të moshuarit. Shaqo Peçi është nje nga ata qe nuk ka munguar ne asnjë pale zgjedhje deri me sot.

“Kam votuar mbi 40 herë. Nuk identifikoheshe kishe votuar apo jo. Nuk të kontrollonte njeri. Ndërsa tani them kam votuar, urdhëro shenjën”, thotë Shaqo Peçi.

Shaqo ka argumentin e tij për rënien e interesit rreth zgjedhjeve. Thotë se vjen nga koha kur në kutinë e votimit kishte më shumë fletë se sa votues.

“Unë gjithmonë kam pasur besim te vota ime, por e kam ushtruar votën, faktikisht nuk kam pasur besim se vota ime do të shkojë në destinacionin e duhur. Gjatë kohës që unë kam qënë në komisionin e votimit shumë kohë, ka rezultuar se numri i fletëve të votimit ka dalë më i madh se sa pjesëmarrësit në votime”, rrëfen Peçi….

Por 46.8 e pjesëmarrjes ne zgjedhjet e javës së shkuar për të nuk është e uleë, pasi thotë se shumë shqiptarë jetojnë jashtë.

“Pjesëmarrja në votime ndikon në pjesëmarrjen e madhe të njerëzve që sot janë në emigracion. Nëse do të bëjmë  një përllogaritje të njerëzve që janë në Shqipëri, dhe që kanë të drejtën dhe ushtrojnë të drejtën e votës, them se nuk është kjo. Prandaj kjo pjesëmarrje mund të them se është premtuese, dhe mund të them se me të gjitha vendet e tjera të Europës, kjo pjesëmarrje është më e madhe duke patur parasysh se pjesa më e madhe ishte në emigracion”, mendon ai.

Edhe në kohën e diktaturës thotë se pjesëmarrja në zgjedhje nuk ishte absolute, edhe pse gjithmonë shënonte mbi 90 %.

“Edhe në atë kohë kishte opozitarë, kishte njerëz që nuk ishin dakord me sistemin dhe fitoren e pushtetit popullor të asaj kohe”, tregon ai.

Shaqo Peçi thote se do të mbetet një votues besnik. E quan përgjegjësi dhe detyrimin që çdo qytetar duhet të ketë ndaj vendit të tij dhe se të drejtën për të votuar do ta ushtrojë derisa të ketë jetë.

Top Channel